Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka lavdëruar punën e të gjithë qytetarëve që po përpiqen që të mbrojnë vendin. Ai ka bërë homazhe ndaj të gjithë ushtarëve dhe civilëve që u vranë pas luftimeve të enjten.

“Ata thonë që objektet civile nuk janë shënjestër e tyre. Por kjo është një tjetër gënjeshtër e tyre. Në të vërtetë ata nuk i ndajnë zonat ku operojnë. Djemtë dhe vajzat tona, të gjithë mbrojtësit e Ukrainës nuk e lejuan armikun që të implementonte planin operacional të pushtimit në ditën e parë. Ukrainasit treguan heroizëm të vërtetë. Armiku ka ndaluar në shumicën e drejtimeve”, tha ai në një fjalim.

Presidenti ukrainas ka qenë në telefonata të vazhdueshme me liderë të ndryshëm europianë dhe jo vetëm. Ditën e sotme, ai ka folur edhe me kryeministrin britanik Boris Johnson.

“Sot Ukraina ka nevojë për mbështetjen e partnerëve më shumë se kurrë. Kërkojmë një kundërpërgjigje efektive ndaj Federatës Ruse. Sanksionet duhet të forcohen edhe më shumë”, mësohet se i ka kërkuar Zelensky kryeministrit Johnson.

Ndërkohë më vonë një këshilltar i presidentit Volodymy Zelensky ka deklaruar se qeveria e Ukrainës është e hapur që të bisedojë me Rusinë. Ai është shprehur se Ukraina do paqe.

Këshilltari shtoi se nuk kanë frikë për bisedime, veçanërisht mbi çështjen që Ukraina të ketë “status neutral”.

/tvklan.al