Pas telefonatës me Putin, Presidenti ukrainas Volodomyr Zelensky ka konfirmuar se do të zhvillojë edhe ai një bisedë telefonike me Presidentin amerikan Donald Trump.

Zelensky u shpreh se Shtetet e Bashkuara duhet të monitorojnë çdo armëpushim të mundshëm midis Ukrainës dhe Rusisë.

“Nëse kemi një marrëveshje të tillë, do të ketë një listë objektesh, civile, energjetike, infrastrukturore. Ne do ta përgatisim këtë listë dhe do t’ua japim partnerëve tanë. Nëse rusët nuk godasin objektet tona, ne nuk do t’i godasim objektet e tyre”, tha Volodymyr Zelensky.

Gjatë konferencës me Presidentin finlandez Aleksandër Stubb, presidenti ukrainas theksoi se rusët deri tani kanë demonstruar mosgatishmërinë e tyre për paqe. Sa i përket territoreve sipas tij, kjo ndoshta do të jetë një nga çështjet e vështira në negociatat e ardhshme.

Stubb kërkoi nga BE-ja të ndihmojë Ukrainën dhe prioriteti duhet të jetë që Kievi të ketë të drejtën të zgjedhë “të ardhmen dhe fatin e vet”.

Nga ana tjetër, Presidenti Vladimir Putin në një dalje për mediat u shpreh se trupat ruse po bëjnë gjithçka për të zbrapsur forcat ukrainase në rajonin Kursk. Ndërkohë, në një intervistë televizive, shefi i Shtëpisë së Bardhë sqaroi se nuk kishte folur me Putinin për ndalimin e menjëhershëm të ndihmës amerikane për Ukrainën.

Pavarësisht telefonatës Putin-Trump, nuk janë ndalur sulmet mes Rusisë dhe Ukrainës duke shënjestruar infrastrukturën.

Autoritetet rajonale në Sumy thanë se një sulm me dronë rus dëmtoi dy spitale, duke detyruar evakuimin e pacientëve dhe stafit. Rusia lëshoi ​​më shumë se 140 dronë kundër Ukrainës, ndërsa njësitë e saj të mbrojtjes rrëzuan 72 dronë.

Ministria ruse e mbrojtjes njoftoi rrëzimin e 57 dronëve gjatë një sulmi ukrainas.

Klan News