Nënshkruhet Traktati i Miqësisë mes Shqipërisë dhe Ukrainës
Përpara nisjes së Samitit Ukrainë-Europa Juglindore, presidenti Volodimir Zelnsky pati një axhendë të ngarkuar në Tiranë. Ashtu si ishte përcaktuar edhe në axhendën e dakordësuar më herët, në orën 09:00, kreu i qeverisë shqiptare, Edi Rama doli ta priste te hyrja e Kryeministrisë, por iu desh të priste disa minuta deri sa eskorta e Zelenskit të mbërrinte.
Për të nuk pati një pritje zyrtare me parakalim të rojës së nderit, por në sallën KOD të Kryeministrisë, ai së bashku me Ramën panë nga afër një ekspozitë të veçantë me fotografi nga rezistenca dy vjeçare e Ukrainës ne luftën kundër Rusisë. Dhe ashtu si edhe me të gjithë vizitorët e tjerë, Rama e prezantoi atë me ambientet e punës dhe zyrës së tij.
Nuk mungoi edhe një dhuratë simbolike për Zelenskin me krijimet e tij artistike.

Më pas ata patën edhe një takim kokë më kokë si dhe një takim tjetër bilateral mes dy delegacioneve, ku u nënshkruan traktati i miqësisë dhe bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Ukrainës.
Presidenti Zelensky e zbuloi përmes një postimi në rrjetet sociale se për çfarë kishte biseduar me kreun e qeverisë shqiptare dhe qëllimin e traktatit.
“Që në ditët e para të pushtimit të plotë, Shqipëria ka mbështetur Ukrainën në luftën tonë për liri dhe integritet territorial. Gjatë takimit me kryeministrin shqiptar Edi Rama ne nënshkruam Traktatin e Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë. Ky dokument do të ndihmojë në forcimin e bashkëpunimit tonë me Shqipërinë dhe pozicionin e Ukrainës në Ballkan. Sot diskutuam gjithashtu nevojat e mbrojtjes së Ukrainës dhe prodhimin e mundshëm të armëve të përbashkëta. I jemi mirënjohës qeverisë dhe popullit shqiptar. Nuk do ta harrojmë kurrë qëndrimin e ngrohtë të shoqërisë shqiptare ndaj ukrainasve.”
Takimi vijoi me ndërtimin që Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky i bëri Kryeministrit Rama duke i dorëzuar Urdhërin e Princit Jaroslav i Urti, me motivacionin “për kontributin e jashtëzakonshëm personal, gjithashtu edhe për mbështetjen qe i ka dhënë Ukrainës”.
Kryeministri Edi Rama dhe presidenti Zelensky së bashku me liderët që morën pjesë në samit drekuan te “Padam”, një nga restorantet më të njohura në Shqipëri, ku shijuan ushqimet tradicionale shqiptare të gatuara nga mjeshtri i artit të kuzhinës Fundim Gjepali.
Në mbrëmje Presidenti ukrainas u largua nga vendi ynë i përcjellë nga ministri i jashtëm shqiptar Igli Hasani.
Tv Klan