Kur në Rijad bëheshin bisedimet mes delegacioneve të Rusisë dhe SHBA, Presidenti i Ukrainës Zelensky ishte në Ankara. U prit në një takim nga kreu i shtetit turk Erdogan.

Të dy dolën para mediave pasi përfunduan konferencat për shtyp në Arabinë Saudite. Zelensky përjashtoi mundësinë e udhëtimit drejt Rijadit, ndërsa tha se delegacionin amerikan e pret në Kiev.

“Ne nuk ishim të ftuar në Arabinë Saudite. Bisedimet për ne ishin një surprizë. Diçka të tillë ne e morëm vesh nga media. Nuk e di se kush ka ikur dhe kush ka mbetur aty. As nuk më intereson diçka e tillë. Unë vendosa që mos të shkoj në Arabinë Saudite. Nuk dua që të jap një imazh të keq. Sa i përket delegacionit amerikan, ata i pres në Kiev”, tha Zelensky.

Kërkoi që në tavolinën e bisedimeve të ulen më shumë palë.

“Në bisedime duhet të ketë më shumë pjesëmarrës. Në tavolinë për marrëveshje duhet të jenë edhe Bashkimi Europian, Britania e Madhe si dhe Turqia bashkë me SHBA. Sepse zhvillimet në Ukrainë ju interesojnë të gjitha këtyre shteteve në këtë pjesë të botës. Vetëm në këtë mënyrë, bisedimet japin më shumë garanci”, tha presidenti Zelensky.

Ndërkohë Erdogan u shpreh se mbështet përpjekjet e Trump për një zgjidhje përfundimtare të lutës në Ukrainë.

“Z.Trump po përpiqet që ti japë fund luftë me bisedime të vazhdueshme. Kjo qasje përputhjet me përpjekjet që ka bërë Turqia gjatë këtyre 3 viteve. Nisur nga këto përpjekje diplomatike, Turqia mund të jetë një vend ideal për të pritur bisedimet Ukrainë-Rusi-SHBA”, tha Erdogan.

Klan News