Nga Konferenca e Sigurisë në Mynih, Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky iu bëri thirrje liderëve të BE-së për krijimin e një ushtrie evropiane për të forcuar mbrojtjen e kontinentit të vjetër.
“Ne duhet qe të ndërtojmë forcat e armatosura të Evropës, në mënyrë që e ardhmja e kontinentit të varet vetëm nga evropianët. Si do të përgjigjeshin ju nëse Rusia do të fillojë një sulm frontal nga Bjellorusia? Unë besoj tek Evropa e bashkuar dhe jam i sigurt se edhe ju besoni. Ushtria e Ukrainës tani po e frenon Rusinë. Nëse jo ne, kush do t’i ndalojë ata?”, tha Volodymyr Zelensky.
Duke riafirmuar sovranitetin e vendit te tij Zelensky, këmbënguli se asnjë marrëveshje nuk duhet të bëhet pas shpinës së Ukrainës.
“Ukraina nuk do të pajtohet me asnjë marrëveshje paqeje të propozuar nga SHBA-ja dhe Rusia pa përfshirjen e saj. Unë e paralajmërova Trump që të mos u besojnë pretendimeve të Putinit për gatishmërinë për t’i dhënë fund luftës. Putin dëshiron qe të nisin bisedimet e paqes për të rigrupuar forcat ushtarake ruse gjatë periudhës së armëpushimit dhe që të përfitojë heqjen e sanksioneve”, tha Zelensky.
Zelensky pranoi se Ukraina do ta kishte jashtëzakonisht të vështirë të mbijetonte pa mbështetje ushtarake nga Shtetet e Bashkuara. Ai tha se në telefonatën me Trump të mërkurën i kishte thënë atij se prioriteti i tij ishin garancitë e sigurisë.
“Ne kemi shanse të ulëta, për të mbijetuar pa mbështetjen e Shteteve të Bashkuara. Mendoj se kjo është shumë e rëndësishme, kritike. As nuk dëshiroj qe të imagjinoj një skenar në të cilin Ukraina do te mbetej pa partneritetin strategjik me Uashingtonin”, tha Zelensky.
Presidenti ukrainas vuri në dukje se vendi i tij donte “garanci sigurie” përpara se të fillonin negociatat me Rusinë.
Presidenti Trump ka thënë se trupat amerikane nuk do të vendosen në Ukrainë për të vepruar si një pengesë për agresionin e mëtejshëm rus, por premtoi se Uashingtoni dhe Kievi do të lidhnin një pakt ekonomik.
Perspektivat për një marrëveshje paqeje u kthyen në plan të parë këtë javë pasi Presidenti Trump zhvilloi telefonata të veçanta me Presidentin rus Vladimir Putin dhe, më vonë me Zelensky-n.
Klan News