“Gati për diskutime edhe për neutralitetin e Ukrainës”

Të gjendur përballë sulmit të ashpër rus, autoritetet në Kiev i bëjnë Moskës thirrje për dialog për t’i dhënë fund luftës. Presidenti Volodymyr Zelensky, në një dalje publike para mediave në orët e para të së Premtes i bëri thirrje shefit të Kremlinit, të ulen në bisedime kokë më kokë, pa përjashtuar as opsionin e neutralitetit të Ukrainës, një kërkesë e hershme e Moskës, që është kundër anëtarësimit të këtij vendi në NATO.

“Ne nuk kemi frikë nga Rusia, nuk kemi frikë as të bisedojmë me Rusinë për çdo gjë kur vjen fjala për të garantuar sigurinë e vendit tonë. Nuk kemi frikë as të flasim për neutralitetin, sepse ne nuk jemi anëtarë të NATO-s në këtë moment”.

I gatshëm për të dialoguar duket presidenti rus Vladimir Putin. Përmes një deklarate për shtyp, Kremlini parashtroi si mundësi një takim të nivelit të lartë me Ukrainën në Minsk, kryeqytetin e Bjellorusisë, ku zyrtarët e Kievit kanë zhvilluar vazhdimisht bisedime rebelët pro-rusë në lindje të Ukrainës.

Reagimi pozitiv i Kremlinit erdhi pas thirrjes për t’u ulur në dialog që presidenti kinez Xi Jinping i bëri homologut rus Vladimir Putin, në një bisedë telefonike që zhvilluan këtë të premte.

Më herët, ministri i jashtëm rus Sergei Lavrov tha se operacionet e ushtrisë ruse në Ukrainë do të ndaleshin vetëm atëherë kur populli ukrainas të çlirohej nga qeveria që e nënshtronte prej vitesh. 

Ndërsa presidenti turk Rexhep Taip Erdogan kritikoi NATO-n dhe vendet perëndimore se nuk ka qenë shumë të vendosur në qëndrimet kundër sulmit rus në Ukrainë. Erdogan shquhet si një prej aleatëve me qëndrimin më miqësor ndaj Putinit. 

Tv Klan