Një gjykatë greke ka lënë në burg dy të dyshuarit për vrasjen e studentes 21-vjeçare në ishullin Rodos të Greqisë. 20-vjeçari shqiptar Aleksandër Luca dhe 21-vjeçari grek Manoli Koukouras do të qëndrojnë në qeli deri në përfundim të hetimeve. Ata akuzohen për vrasjen në bashkëpunim të studentes Eleni Tofaloudis.

Në seancën e sotme për masën e sigurisë, para gjykatës ishin mbledhur turma qytetarësh të revoltuar për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur. Ata kanë shprehur zemëratën ndaj dy të rinjve që kryen krimin e rëndë. Policia kishte marrë masa të forta sigurie për shkak të prezencës së madhe të qytetarëve. Të ndodhur në rrethana të tilla, në përfundim të seancës së sigurisë autoritetet i larguan të dyshuarit nga dera e pasme e gjykatës. Pasi qytetarët mësuan se policia i kishte nxjerrë nga dera tjetër për t’i dërguar në qeli, qytetarët shpërthyen në akuza dhe parrulla ofenduese ndaj autoriteteve.

Aleksandër Luca dhe Manoli Koukouras akuzohen për përdhunimin dhe vrasjen e studentes 21-vjeçare. Shqiptari ka pranuar përfshirjen në krim duke sqaruar të gjithë ngjarjen. Ai deklaroi para hetuesve se shoku i tij grek qëlloi studenten me hekur në kokë dhe më pas e udhëzoi t’i lidhnin këmbët dhe ta hidhnin në det. Sipas hetimeve të deritanishme të policisë greke, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur pasi vajza refuzoi të kryente marrëdhënie seksuale me ta. Hetuesit besojnë gjithashtu se 21-vjeçarja është përdhunuar.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 27 Nëntor, ndërsa trupi i pajetë i Elenit u gjet në shkëmbinj më 28 Nëntor. Nga ana tjetër, 21-vjeçari Manolis Koukouras nuk ka pranuar akuzat e ngritura ndaj tij. Ekspertët mjeko-ligjorë thanë se vajza do të ishte gjallë nëse do të ishte dërguar në spital para se të hidhej në det.

/tvklan.al