Historia anonime e rrëfyer në “Gjenerata Alfa” nga “E Diela Shqiptare” në Tv Klan që në këtë puntatë trajton pëlqimet dhe lidhjet mes të rinjve, vijon me ndryshimet që 20-vjeçari,  asokohe në gjimnaz, pësoi. Ai thotë se lidhja me vajzën që pëlqente ishte një motiv që ai të përmirësohej në mësime, por njëkohësisht nuk mungonin skenat e xhelozisë. Madje në një pikë i kërkuan njëri-tjetrit kredencialet e rrjeteve sociale, ndonëse kjo nuk u realizua.

Djali: Unë kam qenë edhe pak xheloz me thënë të drejtën se ka gjithmonë kjo lufta që unë duhet të jem i dashuri perfekt, unë duhet të jem i dashuri i mirë, ti nuk duhet të postosh foto me shokë apo me shoqe, por kjo ka qenë vetëm në fillime se  me kalimin e muajve pastaj që ne filluam të kishim një marrëdhënie më të fortë nëse mund ta them kështu, kemi qenë më mirëkuptues me njëri-tjetrin.

Ardit Gjebrea: Xhelozia jote ishte mbytëse për të?

Djali: Jo, nuk mendoj që ka qenë deri aty duke qenë se më ka dashur shumë dhe besoj që deri diku më ka dashur, nuk është se unë nuk e lejoja të dilte me shoqe, por mbaj mend njëherë që i kemi kërkuar fjalëkalimet e Instagram-it njëri-tjetrit, unë nuk ia kam dhënë, as ajo nuk ma ka dhënë, por  nga ana tjetër ka qenë edhe ky kompleksi, a jam i dashuri i duhur, a po shkon kjo lidhje ashtu siç duhet që ta kem?

Ardit Gjebrea: Sa kohë zgjati kjo lidhja juaj?

Djali: Kjo lidhja ka zgjatur pothuajse një vit, pra ne filluam vitin e parë bashkë, mbaruam gjysmën e fundit të vitit, vazhduam edhe vitin tjetër pak pastaj erdhi…momenti  i ndarjes pra.

Ndarja e trishtë që atë e ka shenjuar dhe vazhdon të mbartë një traumë erdhi gjatë një feste. Edhe  pse nën moshë, adoleshentët pranojnë se konsumojnë alkool në ambiente të tilla dhe disa gota e kishin dhënë efektin. I riu tregon se në një moment, sytë e tij kishin para pamjen e një tradhtie të dyfishtë.

Djali: Në një moment unë mbaj mend që jam larguar për të takuar ca miq të tjerë dhe kur jam kthyer grupi im shoqëror nuk donte që të rrinim më në party dhe s‘po e kuptoja se po kalonim shumë mirë. Aty është momenti pastaj që unë e kuptova se përse donin që të largoheshin sepse në një moment unë shoh të dashurën time që po kërcente dhe po puthej me shokun tim të ngushtë.

Ardit Gjebrea: Me shokun tënd të ngushtë?

Djali: Po. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë për mua, edhe sot e kam pak të vështirë të besoj në marrëdhënie shoqërore apo më tej. Unë e di që jo të gjitha rastet janë kështu, por ka edhe si ky rasti./tvklan.al