Prej orës 12:00 në Pallatin e Kongreseve po zhvillohen homazhe në nder të deputetit Bashkim Fino, i cili humbi jetën për shkak të koronavirusit. Atje kanë qenë figura të rëndësishme të politikës shqiptare, të majtë e të djathtë, të cilët mbajtën nga një prononcim për mediat pas përfundimit të homazheve.

Në nder të Bashkim Finos, 29 Marsi është shpallur ditë zie kombëtare. Flamujt në institucionet shtetërore dhe publike janë në gjysmështizë. Fino ka qenë deputet në disa legjislatura ndërkohë që kandidonte edhe për zgjedhjet e 25 Prillit. Ai ishte i katërti në listën e Fierit për Partinë Socialiste.

Po ashtu, Fino ka mbajtur poste të rëndësishme shtetërore. Ai ka qenë kryeministër i Pajtimit Kombëtar në vitin e vështirë 1997.  

Rama, homazhe për Bashkim Finon. I shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama
Kryeministri Edi Rama gjatë homazheve për Bashkim Finon
Lulzim Basha dhe bashkëshortja gjatë homazheve

Ilir Meta: Fino, figurë frymëzuese për të rinjtë

Në një moshë shumë të re ai u bë një figurë frymëzuese për ne të rinjtë në atë kohë si kryetar i Bashkisë së Gjirokastrës, një punë që e bëri me shumë sukses dhe ajo ishte dhe baza e përzgjedhjes sime në shumë e shumë kandidaturash në atë vit të çmendur të Shqipërisë për të krijuar një qeveri të pajtimit dhe stabilitetit. Detyrë që e bëri në mënyrë të jashtëzakonshme pasi e dimë sa i ndarë dhe i polarizuar ishte vendi. Kam kujtime të veçanta me të për arsye sepse ishte gjithmonë përkrahës i të rinjve dhe gjithashtu ishte një figurë shumë i dhënë pas sportit. Kjo na bashkonte. Ishte njeri shumë bujar, njerëzor dhe tolerant dhe dinte të dallonte dallimet politike nga raportet njerëzore dhe shoqërore, gjë që është e rëndësishme shumë. Momenti i sotëm ishte shokues edhe pse kishte pasur disa sfida që kishte kaluar me shëndetin, Ngushëllimet më të sinqerta gjithë familjarëve të tij, qytetarëve të Gjirokastrës, dashamirësve kudo, PS-së pasi ishte një nga figurat kryesore këto tre dekada”, tha Meta.

Balla: PS humbi një mik, do të na mungojnë këshillat

“PS humbi sot një mik, një kontribues dhe një njeri të veçantë, i cili në 26 vitet e fundit ka qenë model dhe me kontribut në këtë parti. Fjalët për Bashkimin sot janë të pakta, ajo që do na mungojë gjithmonë është një këshillë e një miku të veçantë. Sigurisht që betejat fitohen, por ka dhe beteja që nuk fitohen. Bashkimi, edhe pse arriti të kalonte pjesërisht betejën me COVID, nuk arriti ta çonte deri në fund”, tha Balla.

Ruçi: Zemra e tij kaq e madhe, qe aq e vogël për vetë Bashkim Finon

“Do ta kujtoja si një njeri që është rritur pa baba. Do ta kujtoja si një njeri që përcolli atë që e rriti me dashuri, nënën e tij, që e përcolli para 3 muajsh. Do ta kujtoja si një njeri zemërmadh në familjen e tij politike, edhe me kundërshtarët e tij politikë, që fatkeqësisht zemra e tij kaq e madhe, qe aq e vogël për të përballuar vetë Bashkim Finon, për t’u ndarë nga jeta. Do të na mungojë shumë. Mezi e prisja të na bashkohej në ekipin e Fierit, por ja që nuk ishte e thënë që jeta e tij biologjike dhe politike të vazhdonte, lamtumirë i dashur”, tha Ruçi./tvklan.al