Futbollistët e Shën Petërsburgut u bënë pjesë e një nisme speciale, për të nxitur tifozët që të adoptojnë qenushë të braktisur.  Përpara takimit të kampionatit në shtëpi kundër FC Rostovit, futbollistët dolën në fushë duke mbajtur në krahë kafshët.

Në “Gazprom Arena” bënë paradën e tyre 11 qenushë të racave të ndryshme dhe vëmendja e kamerave ishte tek ata. Video e postuar në Twitter ka marrë miliona klikime.

Kjo nuk është hera e parë që futbolli ka bashkëpunuar me fondacionet për mbrojtjen e kafshëve për të ndihmuar që t’u gjenden familja adoptuese qenushëve të braktisur në strehat lokale.

Dhe kjo nismë e klubit rus është vlerësuar dhe pëlqyer jo vetëm në Rusi, por edhe në shtetet e tjera. Fushata quhet “Për qentë është më mirë që të jenë në shtëpi”. Ndërkohë sfida mes të dyja ekipeve përfundoi në barazim me rezultatin 2-2.

Klan News