Zëvendësministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës së Kosovës, Hysen Durmishi, është marrë në pyetje nga Departamenti i Hetimeve të Policisë, pas një kallëzimi penal për korrupsion.

Rasti lidhet me denoncimin e bërë që prej 23 Korrikut 2024 nga një kompani private, e cila akuzon Durmishin, se ky i fundit ka urdhëruar që kjo shoqëri të përjashtohet nga gara për lotin 1, të zgjerimit të rrugës “Prishtinë-Pejë”.

Pjesë e akuzës nga kompania janë dhe Shefqet Emërllahu, menaxheri i Prokurimit në Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, si dhe Komisioni Vlerësues i prokurimit, raporton Klan Kosova.

Durmishi sakaq nuk ka pranuar të ketë ndërhyrë në procedurat e prokurimit të këtij tenderi, duke e cilësuar si gjë të qëllimshme dhe të ngritur mbi bazën e thashethemeve.

“Kjo po duket e qëllimshme, pa asnjë akt, mbi thashetheme. Me gjëra se gjoja unë kam ndikuar në procedura që janë zhvilluar për rrugën. Unë aty jam në cilësinë e zëvendësministrit dhe puna ime është vetëm të nënshkruaj kontratën kur i ka kaluar të gjitha filtrat, të gjitha procedurat dhe nuk ka pasur shkelje ligjore. Të gjitha këto kontrata janë nënshkruar pas vendimeve të OSHP-së”, tha Durmishi.

/tvklan.al