Meta: Kuvendi të mos shkelë Kushtetutën

Vijojnë replikat në distancë për mënyrën si do të zgjidhen anëtarët e rinj të Gjykatës Kushtetuese. Një ditë përpara votimit në Kuvend të 2 anëtarëve të rinj të kësaj gjykate, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka ripublikuar letrën që i ka dërguar kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi ku shpreh rezervat e tij për procesin.

Meta thotë se deputetët duhet të jenë të kujdesshëm përpara se të votojnë për 2 emrat e rinj të kësaj gjykate. Ai këmbëngul se Kuvendi ka radhën për të zgjedhur një anëtar nga lista dhe më pas i takon presidentit të përzgjedhë një emër tjetër. Për këtë çështje ka reaguar edhe Partia Demokratike sipas të cilës, Rama po tenton ta kapë ose ta bllokojë ngritjen e Gjykatës Kushtetuese.

Më herët mazhoranca e ka konsideruar të pavlerë juridikisht letrën e Presidentit të Republikës ku kërkohej pezullimi i procesit të përzgjedhjes së kandidatit të radhës së Gjykatës Kushtetuese. Sipas kryetarit të Komisionit të Ligjeve, procedura që po ndiqet është në frymën e Kushtetutës dhe se nuk ka asnjë mundësi që procesi të bllokohet.

Tv Klan