“Një tjetër hap i rëndësishëm në implementimin e reformës në drejtësi në Shqipëri!”. Kështu e konsideron shefja e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit, Genoveva Ruiz Calavera, zgjedhjen e Aida Hajnajt në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Bashkëngjitur me reagimin e saj në Twitter, Calavera postoi deklaratën e bërë një ditë më parë nga ambasadori i BE në vendin tonë, Luigi Soreca, i cili gjithashtu përgëzoi zgjedhjen e drejtueses së re, të asaj që cilësohet si FBI-ja shqiptare.

“Ky emërim i rëndësishëm kontribuon në forcimin e mëtejshëm të aftësive operacionale të forcave të rendit në luftën kundër krimit dhe në finalizimin e strukturave të specializuara kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, pjesë e Reformës në Drejtësi, siç u kërkua nga Këshilli Europian, Marsin e shkuar, kur vendosi për hapjen e negociatave me Shqipërinë”, shprehej Soreca në reagimin e tij.

Të enjten, Këshilli i Lartë i Prokurorisë zgjodhi në unanimitet që Aida Hajnaj të jetë në krye të Byrosë Kombëtare të Hetimit

Hajnaj, aktualisht nëndrejtore e Policisë së Shtetit, do të drejtojë për 5 vitet e ardhshme BKH-në, që është njësia hetimore e SPAK-ut dhe ka për detyrë të ndjekë penalisht korrupsionin, krimin e organizuar dhe krimet e kryera nga zyrtarë të lartë.

Hetuesit e BKH-së do të trajnohen në akademinë e FBI-së, në Virxhinia.

Ligji mbi SPAK-un po ashtu kërkon që një komision ndërkombëtar të mbikëqyrë trajnimin dhe përgatitjet e hetuesve të BKH-së. Pas zgjedhjes së kreut të BKH-së, SPAK-u do të nisë punën për përzgjedhjen e 60 hetuesve të kësaj strukture./tvklan.al