Vetëvendosje e Albin Kurtit ka dështuar sërish që të arrijë votat e nevojshme për zgjedhjen e kryetarit të ri të Kuvendit në Kosovë.

Deputeti Glauk Konjufca deklaroi se kjo forcë politike nuk ka ndryshuar qëndrim për sa i përket propozimit të Albulena Haxhiut për këtë post. Por në seancën e kësaj të hëne ky propozim nuk u arriti të që hidhej në votim, pasi siç u shpreh Konjufca edhe partitë e tjera politike nuk i kanë ndryshuar qëndrimet e tyre.

 Në këto kushte ai bëri thirrje që palët të ulen në diskutime dhe për të arritur një marrëveshje për zgjidhjen e ngërcit politik.

Kryesuesi i seancës njoftoi se Kuvendi do të mblidhet sërish të mërkurën në orën 10 për përpjekjen e radhës për të zgjedhur kryeparlamentarin.

Të shtunën Vetëvendosje dështoi dy herë për ta votuar Albulena Haxhiun si kryetare të Kuvendit, pasi propozimi i emrit të saj mori vetëm 57 vota.

Klan News