Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu vlerëson se si gjatë ditës së votimit ashtu edhe gjatë kohës që numërimi vijon ende, masat anti-Covid janë respektuar.

“Ka pasur një zbatim të mirë të masave antiCovid sa i përket ditës së zgjedhjeve, ku në fakt i gjithë protokolli i miratuar nga ISHP dhe MSH sa i përket ditës së zgjedhjeve, është zbatuar me shumë përpikmëri, për të gjithë qendrat të votimi. Edhe sa i përket pikave ku po numërohet, në KZAZ të gjithë janë të njohur me rregullat dhe protokollet të sigurisë së shëndetit, kemi bërë apele të përsëritura për vendosjen e maskave, distancën dhe ajrosjen e ambienteve”.

E pyetur nëse pas procesit zgjedhor mund të ketë një shtim të rasteve me Covid, Ministrja tha: “Ne jemi në një epidemi dhe nuk mund të themi dot që epidemia ka mbaruar apo Covid-i nuk është më mes nesh. Ky është një fakt që ene e kemi thënë gjithmonë, që rreziku nga grumbullimet ekziston dhe sigurisht  shpresojmë shumë që edhe ato takime elektorale që u bënë, në mjedise apo në prani të njerëzve që nuk ruajtën as distancën as maskën, mund të sjellin dhe ato një rritje të rasteve. Ndaj jemi duke bërë apel edhe në qendrat e numërimit për të ruajtur dhe zbatuar këto protokolle që të mos ketë një risk të infektueshmërisë nëpër këto struktura”./tvklan.al