Kandidati i pavarur, Alexander Van der Bellen ka fituar zgjedhjet presidenciale në Austri. Van der Bellen i hoqi mundësinë kandidatit të ekstremit të djathtë, Norbert Hofer, për tu bërë kreu shtetit.

Vendimtare ishin votat jashtë qendrave të votimit, apo ndryshe të njohura si votat postare, të cilat përbëjnë rreth 12% të votuesve në vend.  Nëse zgjidhej president, Norbert Hofer do të ishte kreu i parë nga ekstremi i djathtë i një shteti të Bashkimit Europian.

Kriza e emigrantëve ishte një nga pikat kyçe të fushatës së dy kandidatëve, me ekstremin e djathtë të pozicionuar qartësisht kundër pranimit të refugjatëve nga Lindja e Mesme.

Austria është një nga vendet kryesore të bllokut të euroskeptikëve sa i përket pranimit të emigrantëve. Rreth 90 mijë persona aplikuan për azil në Austri vetëm vitin e kaluar, çka përbën rreth 1% të popullsisë së vendit.

/tvklan.al