Trump mbledh prova për parregullsi në disa shtete

Demokrati Joe Biden është shpallur president, por Presidenti Donald Trump është duke planifikuar që t’a dërgojë çështjen e zgjedhjeve drejt Gjykatës së Lartë.

Prokurori i Përgjithshëm amerikan William Barr ka lejuar prokurorët të hetojnë parregullsitë në zgjedhjet presidenciale. Për këtë arsye një prokuror në Departamentin e Drejtësisë ka dhënë dorëheqjen në shenjë proteste. Richard Pilger është shprehur se Prokurori i Përgjithshëm po ndryshonte politikat e institucionit duke hedhur poshtë një rregull 40-vjeçar për të mos nisur hetime për mashtrime zgjedhore gjatë procesit dhe pa u certifikuar ai.

Sipas asaj që raporton BBC, pjesa më e madhe e parregullsive nuk do të ndikojnë në ndryshimin e rezultatit zgjedhor, pasi Biden kryeson me dhjetëra mijëra vota ndaj Trump.

Prokurori i Përgjithshëm është shprehur se hetimet mund të bëheshin nga prokurorët federalë nëse ka pretendime të qarta dhe të besueshme për parregullsi të cilat mund të ndikojnë potencialisht në rezultatin e zgjedhjeve në ato shtete ku Trump pretendon se janë vjedhur votat.

Trump ka ngritur një padi duke akuzuar zyrtarët e zgjedhjeve për shkeljen e urdhrit të gjyqtarit. Por zyrtarët këmbëngulin se ata u sollën siç duhet. Sfida ligjore në Pensilvani përqendrohet gjithashtu në vendimin e shtetit për të numëruar fletët e votimit që kanë ardhur nga posta, që sipas Trump, kanë ardhur tre ditë më vonë.

Avokati i tij Rudy Giuliani tha për Fox News se do të ishte e gabuar që Trump të pranonte humbjen sepse ka prova të forta se në të paktën tre ose katër shtete janë vjedhur vota. Padia do të ngrihet për Pensivalninë, me argumentin se aty vëzhguesit që ishin vendosur për të monituar numërimin ishin pro Biden.

Por sipas republikanëve, ekzistojnë disa raste ku mendohet se demokratët kanë vjedhur votat. Në Nju Jork, gati 100,000 fletëvotime u dërguan përsëri votuesve pasi disa emra dhe adresa u shtypën gabimisht. Në Michigan rreth 400 fletëvotime postare renditën gabimisht Jeremy Cohen në vend të Mike Pence. Presidenti Trump pretendoi në Shtator kjo kishte qenë e qëllimshme.

Sipas ekspertëve ligjorë, Gjykata e Lartë e SHBA mund të mos jetë arbitri përfundimtar në këto zgjedhje. Ata shprehen se pak gjasa ka që gjykatat të pranonin një kërkesë të Presidentit Trump për të hapur hetim për numërimin e fletëve të votimit.

Deri më sot, vetëm zgjedhjet e vitit 2000 janë të vetmet që u dërguan në  Gjykatën e Lartë. Në vitin 2000, demokrati Al Gore humbi në Florida. Kjo u pasua nga një proces shumë i diskutueshëm i rinumërimit që zgjati mbi një muaj, derisa Gjykata e Lartë vendosi të ndalojë rinumërimin dhe në favor të republikanit George W. Bush i cili u bë president.

Klan Plus