Votohet me 197 vota pro. Sot Kryesia e PS vendos për 61 kandidatët

Ermal Dredha do të jetë kandidati i Partisë Socialiste për bashkinë që konsiderohet bastion i tyre, atë të Vlorës.

Kandidatura e tij është zgjedhur nga Asambleja Socialiste në një votim të fshehtë ku përballë tij kandidati tjetër ishte ish-deputeti FateVelaj e ku i pranishëm si në asnjë bashki tjetër ishte vetë Kryeministri Rama.

Rama, i sapoardhur nga Londra, ashtu siç iu deklaroi javën e shkuar deputetëve në mbledhjen e grupit, donte të fliste vetë me bazën socialiste për kandidatin për kryebashkiak. Kjo dhe për shkak të temperamentit që karakterizon anëtarësinë e kësaj dege e që vetë Kryeministri e vë në dukje sa herë i jepet mundësia e që ai e di më mirë se çdokush sepse ka qenë deputet i Vlorës për dy mandate.

Ermal Dredha ka marrë 197 vota nga anëtarësia, ndërsa Fate Velaj vetëm 51.

Dredha është aktualisht ambasadori jonë në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe vjen nga një karrierë e gjatë në fushën e diplomacisë ku ka mbajtur postin e konsullit në Bari dhe shefit të Protokollit të Shtetit edhe pse formimi i tij është për gjuhë të huaja.

Për Dredhën ka pasur një mbështetje të madhe nga disa anëtarë të Kryesisë socialiste ndaj nuk priten surpriza për mbështetjen e emrit të tij nga ky forum që do të mblidhet pasditen e kësaj të shtune.

48 orë përpara skadimit të afatit të regjistrimit të kandidatëve për kryebashkiak dhe këshilltarë bashkiak, socialistët do t’i miratojnë emrat në kryesi.

Pjesa më madhe e kryebashkiakëve do të rikonfirmohen për një mandat të dytë apo të tretë, e vetmja bashki që kishte interes për emrin e kandidatit ishte Vlora kur dihej që shanset për Dritan Lelin për një rikandidim ishin zero. Po ashtu dhe Bashkia e Krujës pritet me interes pasi dihet që kryebashkiaku aktual Artur Bushi nuk do të rikandidohet.

Ambicie për të garuar në këtë bashki në 14 Maj kanë dhe deputetët e zonës, por Rama iu ka bërë të qartë se veç Shkodrës ku do të kandidojë Benet Beci dhe Bashkisë së Gramshit ku pritet të kandidojë deputeti Besian Ajazi, asnjë deputet tjetër nuk do të lërë mandatin për të kandiduar për kryebashkiak.

Tv Klan