Opinion – Që prej 28 Nëntorit të 1944, kur qeveria e Enver Hoxhës hyri në Tiranë, Shqipëria nuk kishte njohur asnjë forcë tjetër politike përveç Partisë Komuniste, që më pas u transformua në Partinë e Punës. Deri në vitin 1992, Shqipëria ishte udhëhequr vetëm nga një forcë politike, për arsye se ishte vetëm një forcë politike që prezantohej. Në zgjedhjet e 31 Marsit të 1991 partitë opozitare i humbën zgjedhjet dhe më 22 Mars 1992 Shqipëria bëri për herë të parë divorcin nga një qeverisje unikale që vijonte prej 48 vitesh.

Për herë të parë, një forcë tjetër politike me program dhe ideologji të ndryshme do të drejtonte Shqipërinë. Emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 23.03.2010, përqendrohet në ngjarjet e 22 dhe 23 Marsit, si një ndryshim i pushtetit politik pas 48 vitesh në Shqipëri.

22 Marsi do të ishte një moment historik që nuk lidhej me fitoren e një force politike apo një tjetre, por lidhej me ndryshimin e drejtimit të Shqipërisë që ishte drejtuar nga Partia e Punës. Shqipëria ishte vendi i fundit që drejtohej nga ish-komunistët në Europën Lindore, ndaj edhe interesimi për zgjedhjet ishte i jashtëzakonshëm. Një numër shumë i madh gazetarësh nga e gjithë bota kishin mbërritur në Tiranë për të ndjekur nga afër situatën.

Sali Berisha, i cili pritej të ishte edhe kryeministri i ri i vendit votoi në shkollën “De Rada”, pranë banesës së tij. Ndërkohë që pothuajse të gjithë drejtuesit e PD ishin në seli gjatë zgjedhjeve, kishte filluar një “çarje” mes themeluesve dhe atyre që konsideroheshin drejtuesit e parë të kësaj partie.

Kishte një thyerje mes kryetarit të PD, Sali Berisha me njërin prej njerëzve më të afërt të tij, Gramoz Pashko dhe atyre që kishin përfaqësuar qeverinë e stabilitetit dhe drejtuesve të PD që nuk kishin marrë pjesë në këtë qeveri. Por të bindur që kjo forcë po vinte në pushtet, ata ishin bërë bashkë në selinë e PD. Në selinë e PD kishin filluar të vinin edhe përfaqësues të trupit të huaj diplomatik. Kjo përfshirje e njëanshme dhe kaq e hapur e të huajve ndodhte rrallë.

Në mëngjesin e 23 Marsit pritej të zyrtarizohej jo vetëm fitorja. Situata në selinë e PD ishte tejet entuziaste dhe mbështetësit e kësaj partie drejtohen në sheshin “Skënderbej” në një miting spontan. Në mbrëmje Ambasada Amerikane organizoi një kokteil, ku për herë të parë Sali Berisha në një konferencë shtypi prezantoi programin e tij. Ishte programi i parë i një force politike pas 48 vjetësh dominimi të Partisë së Punës.

/tvklan.al