Gjykata kërkon një opinion nëse ka juridiksion për zgjedhjet

Gjykata Kushtetuese ka bërë publike pyetjet që i ka drejtuar Komisionit të Venecias lidhur me gjykimin për pavlefshmërinë e zgjedhjeve vendore të 2019. Përmes 3 pyetjeve të hartuara nga kjo Gjykatë kërkohet një interpretim nga ky Komision nëse ka juridiksion organi gjyqësor më i lartë në vend për të vlerësuar kushtetushmërinë e proceseve zgjedhore.

Pyetja nr.1 | A mund të interpretohet neni 131, pika 1, shkronja “e”, i Kushtetutës se Gjykata Kushtetuese ka juridiksion për të vlerësuar kushtetutshmërinë e procesit zgjedhor?

Pyetja nr. 2 | Duke qenë se parimi i periodicitetit të zhvillimit të zgjedhjeve vendore dhe ai i pluralizmit politik janë parashikuar si parime themelore kushtetuese, cili do të ishte raporti mes tyre në një situatë ku rrezikohet cenimi i secilit parim? Cili parim do të prevalonte mbi tjetrin?

Pyetja nr. 3 | Në një situatë të një klime pasigurie juridike, a ka cenuar sjella e autoriteteve publike dhe e partive politike të drejtën e votuesve për të pasur mundësi kuptimplotë zgjedhjeje? A duhej ata të siguronin interesin më të lartë të votuesve?

Pas një seance maratonë të zhvilluar në 23 Qershor pasi u dëgjuan pretendimet e palës paditëse që është Shoqata e Bashkive si dhe palët e interesuara, Kryeministria, Presidenca, KQZ dhe Avokati i Popullit, shqyrtimi u pezullua deri sa të vijë përgjigja nga ekspertët e Komisionit të Venecias.

Zgjedhjet për pushtetin lokal të vitit 2019 u mbajtën në një klimë të tensionuar politike dhe në shumicën e njësive vendore pa kandidatë konkurrent, teksa opozita e djathtë vendosi të mos marrë pjesë në to.

Tv Klan