Opinion-Më 12 Dhjetor të vitit 1990, dhjetëra studentë të mbledhur në “Qytetin Studenti” po përshëndesnin lindjen e një epoke të re, të një Shqipërie demokratike. “E duam Shqipërinë demokratike”, ishte thirrja bazike e studentëve dhe të gjithë atyre që i mbështetën në betejën për pluralizëm politik.

Ishte po ashtu një thirrje që do të hapte një kohë të gjatë konfrontimesh politike. Dhe emisioni “Opinion” i gazetarit Blendi Fevziu, realizuar më 26 Maj 2009 ishte produkt i Dhjetorit të 1990-s.

Por çfarë ndodhi që prej 13 Dhjetorit të 1990-s, kur PD u krijua në “Qytetin Studenti” si partia e parë e opozitës?

Parti të tjera politike lindën, parti të cilat do të përplaseshin në zgjedhjet e para pluraliste në Shqipëri pas 64 vjetësh. Që nga Prilli i vitit 1923, kur në Shqipëri ishin realizuar zgjedhjet e dyta dhe të fundit të hapura, Shqipëria nuk kishte njohur më zgjedhje demokratike. Më 31 Mars të vitit 1991, forcat kryesore politike që kishin lindur dhe Partia e Punës hynë në zgjedhjet e para pluraliste të Shqipërisë. Shqiptarët po zbulonin një fenomen të panjohur më parë, votën e lirë.

Por zgjedhjet e para kishin nevojë edhe për një komision zgjedhjesh. Deri në atë kohë askush s’kishte menduar se ishte e nevojshme të numëroheshin votat. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve u krijua dhe kryetar i tij u caktua një fizikanti i quajtur Rexhep Mejdani, një njeri i cili më vonë do të kishte një karrierë të gjatë politike dhe do të bëhej president në vitin 1997.

Prezantimi i kandidatëve për deputetë të Partisë Demokratike ishte një festë e vërtetë. Fjala e tyre në sheshet qendrore mblidhte me mijëra njerëz.

Por ndërkohë që PD ishte përqëndruar fort në prezantimin e kandidatëve, maxhoranca e asaj kohe, PPSH, po punonte fort në Tiranë.

Vëzhgues të huaj kishin mbërritur në Shqipëri për të ndjekur zgjedhjet. Përqendrim të madh kishte edhe shtypi. Për herë të parë Presidenti Ramiz Alia vendoset përballë gazetarëve të shtypit të huaj, në një konferencë shtypi. 90% e gazetarëve ishin të huaj dhe pak prej tyre ishin gazetarë vendas.

Më 29 Mars të 1991, edhe kreu i PD, Sali Berisha dhe zëdhënësi i PD përballen po ashtu me gazetarët. Kjo ishte një nga konferencat me përmasat më të mëdha. PD pretendonte se ishte shumë e favorizuar, pasi pjesa më e madhe e qyteteve e mbështeste, por PPSH ishte ende me strukturë të ngritur dhe ende e kishin frikë.

Por ndërkohë që opozita mendonte se do t’i fitonte zgjedhjet, nuk ndodhi kështu. Të gjitha qytetet kryesore të vendit kishin votuar në favor të PD, madje edhe në Tiranë kishte humbur zgjedhjet sekretari i parë i PPSH, Ramiz Alia. Ai ishte sfiduar nga një inxhinier gjeolog, krejtësisht i panjohur që quhej, Franko Kroqi. Ai u bë ylli i ri i Shqipërisë për arsye se kishte mundur personin më të fuqishëm në vend, Presidentin Alia./ tvklan.al