Situata politike në Kosovë është ndezur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese që shpalli jokushtetuese qeverinë Hoti dhe kërkoi që zgjedhjet e ardhshme të mbahen jo më larg se 40 ditë.

Kështu ditën e sotme, ushtruesja e detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani, ka ftuar partitë politike që të diskutojnë për datën e mundshme të zgjedhjeve të parakohshme. I pari që është paraqitur në zyrën e Osmanit ka qenë kryetari i Lëvizjes Vetëvendosjes dhe ish-kryeministri Albin Kurti.

Ai ka thënë se nuk ka folur për një datë konkrete me Osmanin, por kërkon që ato të zhvillohen sa më parë.

“Si kryetar i LVV-së, ju përgjigja pozitivisht ftesës së u.d të presidentit Vjsoa Osamni për një këshillim paraprak lidhur me zgjedhjet e reja të parakohshme të cilat janë përvec se të domosdoshme edhe të pashmangshme pas njoftimit me dispozitiv të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese. Ne shprehëm interesim si subjekt politik që zgjedhjet e ardhshme të parakohshme të kemi një datë që në harkun kohor të mundshëm të jetë sa më të hershme. Na duhen që të marrim aktgjykimin e plotë të Gjykatës Kushtetuese dhe varet nga data kur na vjen ai aktgjykim si palë që jemi në këtë çështje që tashmë është zgjidhur, por nuk e ka edhe përgjigjen e plotë që të jetë aktgjykim i plotfuqishëm dhe pas kësaj mund të shpallet data e zgjedhjeve nga ushtruesja e detyrës së Presidentes në një hark të caktuar kohor, si e parasheh Kushtetuta. Data sa më herët e mundshme, jemi të interesuar që të mbahen zgjedhjet e reja e të parakohshme meqë kemi humbur shumë kohë dhe na nevojitet që të ecim sa më shpejtë që duke u kthyer tek populli si burim i legjitimitetit. Së pari ne nuk kemi folur për një datë konkrete, kemi shprehur interesim tonë që në harkun kohor të mundshëm të jetë sa më e hershme data, sa më afërt e diela e zgjedhjeve të ardhshme që varet nga dita kur neve na vjen aktgjykimi”, ka thënë ai.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, vendimi i Kuvendit të Kosovës për zgjedhjen e qeverisë Hoti nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën sepse qeveria nuk ka marrë shumicën e votave të të gjithë deputetëve. Kjo pasi qeveria e 3 Qershorit u votua nga deputeti Ethem Arifi, i cili me 20 Gusht të vitit të kaluar kishte një dënim të formës së prerë nga gjykata.

Në vendim thuhet se asnjë person që është i dënuar për ndonjë vepër penale në formë të prerë në tre vjetët e fundit nuk mund të jetë kandidat për deputet e as të fitojë mandatin e vlefshëm në Kuvendin e Kosovës./tvklan.al