Pas zgjedhjes së Bamir Topit në postin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, zona 31 në Tiranë ka mbetur pa deputet, ndaj duhet të votohet për të zgjedhur deputetin që do t’i përfaqësojë në Parlamentin e Shqipërisë. Kandidatët kryesorë në këtë zonë janë Edi Paloka nga PD, Luan Zhegu nga PS, si dhe Dashamir Shehi nga LZHK.

Kandidati i Patisë Demokratike, Edi Paloka ishte i ftuar në emisionin “Opinion Plus”, nga ku rrëfeu se përse kërkoi nga strukturat e PD të kandidonte në zonën 31 në Tiranë.

“Këtë zonë unë e kërkova vetë në momentin që zoti Topi u bë president. Unë kontaktova me zotin Berisha dhe i thashë një sërë argumentash se pse duhet të kandidoja për këtë zonë. Sigurisht që më pas bëhet një konsultim më i gjerë, nuk vendos thjesht zoti Berisha, por unë shpreha kërkesën time për të kandiduar.  Arsyeja pse unë duhet të kandidoja ishte sepse duhet të vazhdoja një karrierë që u shkëput në vitin 2005 për ato ngjarje që rrodhën si rrodhën. Ambicia ime ishte që të kandidoja në një nga zonat që do të liroheshin, nëse do të liroheshin. Për zonën konkrete së pari sepse është një zonë e djathtë, ku unë kam lindur dhe jam rritur. Nuk është një argument deçiziv, por përbën një faktor plus. Kryesorja ishte që kjo zonë duhej të fitohej dhe disa faktorë mund të ishin minus për PD-në si pakënaqësia e disa militantëve me të drejtë apo pa të drejtë, pasi prisnin shumë më shumë në aspektin personal nga PD. Unë kam qenë një njeri që kam qenë gjithmonë i lidhur me militantët, ndoshta pak më shumë nga të tjerët. Fakti është që shumë prej tyre kanë ardhur dhe e kanë shprehur hapur se do të votojnë për mua, njerëz që edhe mund të mos kenë votuar më 18 Shkurt, kanë thënë se do të votojnë njësoj si në vitin 2005”.

Për Palokën humbja e PD-së në zgjedhjet vendore në këtë zonë, të cilën e konsideron demokrate, erdhi për shkak të mosangazhimit të demokratëve.

“Disavantazhe janë pikërisht këto që përmenda. Ndoshta duhet bërë një analizë edhe në PD në shtator për këtë çështje. Unë mendoj se në këtë zonë faktori që ka sjellë humbjen e PD ka qenë pikërisht mosangazhimi i demokratëve, pasi kjo është një zonë që ka votuar gjithmonë PD-në. Nu kështë thjesht faktori Rama, pasi ishte dhe në zonën ku ishte kandidat Besnik Mystafaj, por aty fitoi PD. Kjo zonë është e njëjtë, është zona e dytë më demokrate në Tiranë, për të mos thënë e para”.

Përsa i përket rrezikut se karriera e tij politike do të mund të marrë fund nëse humb këto zgjedhje, Edi Paloka u shpreh se kjo është një luftë për jetë a vdekje për të në politikë.

“Unë jam nga ata që fitoren dhe humbjen i llogaris në të gjitha rrethanat. Edhe në vitin 2005, pavarësisht nga rrethanat që sollën humbjen time, unë e konsiderova humbje, qoftë më paratë e mëdha që u hodhën, qoftë me krimin që u organizua në atë zonë. Megjithatë nuk gjej justifikime, politikisht unë atë e quaj humbje. Sigurisht që në këtë rast një humbje tjetër do të ishte fatale politikisht për mua. Kjo është një luftë për jetë a vdekje për mua në politikë”./tvklan.al