Polica e Shtetit do të kalojë në shërbime të përforcuara, për të përballuar me sukses procesin para, gjatë dhe pas mbylljes së votimit, aktivitetin “Giro d’Italia” dhe Samitin e Komunitetit Politik Europian që do mbahet më 16 Maj, në Tiranë.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, paraditen e sotme, thirri në takim drejtorët e drejtorive vendore të Policisë, drejtorët e drejtorive për kufirin dhe migracionin dhe drejtorët e departamenteve.

Ai porositi drejtorët për përmirësimin edhe më shumë të cilësisë së shërbimeve të Policisë, me qëllim rritjen e parametrave të rendit dhe të sigurisë në vend gjatë përmbylljes së fushatës elektorale, procesit të votimit dhe deri në përfundim të të gjithë këtij procesi.
Ai ka kërkuar nga drejtorët që të qëndrojnë në krye të shërbimeve.
“Jemi përpara disa sfidave shumë të rëndësishme për imazhin e vendit, ndaj kërkoj nga gjithsecili, më shumë angazhim dhe përkushtim, që këto sfida t’i përballojmë me sukses dhe të përligjim besimin që qytetarët kanë te Policia e Shtetit”, tha Proda.

“Zbatoni ligjin dhe detyrimet që rrjedhin nga Kodi Zgjedhor, duke qëndruar të baraslarguar nga subjektet politike, si deri tani. Reagoni në kohë dhe me profesionalizëm, mos neglizhoni asnjë konflikt, sado i vogël apo i parëndësishëm qoftë në dukje, ndiqni në dinamikë çdo shqetësim të adresuar nga qytetarët apo nga përfaqësues të subjekteve politike dhe trajtojini ato ligjërisht, në bashkëpunim me Prokuroritë respektive”, shtoi Proda./tvklan.al