Pa kaluar 24 orë nga miratimi me konsensus i ndryshimeve në kodin zgjedhor për votën e diasporës, Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve nuk ka humbur kohë dhe ka publikuar afatet për zgjedhjet e 11 Majit.

 “25 Shkurt përfundon afati për regjistrimin e partive politike, 7 Mars përfundon afati për regjistrimin e koalicioneve, në 12 Mars përfundon afati për depozitimin e listave shumë emërore”, shprehet Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi.

Në 25 Mars pritet të nisë edhe prodhimi i fletëve të votimit, që ndryshe nga parlamentaret e kaluara, kandidatët ashtu siç e përcakton edhe kodi elektoral nuk do të jenë me numra, por me emra.

“S’mund të ketë mënyrë tjetër në fletën e votimit sesa me emra”, shprehet Celibashi.

Celibashi thotë se nuk do të bëjë asnjë propozim lidhur me kërkesën e opozitës që në 11 Maj emigrantët të votojnë me dokumentat biometrike të vendeve ku jetojnë, por sqaroi se është në tagrin e komisionit rregullator një zgjidhje që s’u arrit në kuvend mes palëve politike.

“Kjo nuk përjashton se Komisioni rregullatori është i pavarur nga Komisioneri Shtetëror të bëjë se çfarë ka nevojë për rregullat për votimin nga jashtë”, tha Celibashi.

I pyetur në lidhje me bllokimin që i bëri Paketës së Maleve dhe TVSH për bujqësinë, Celibashi argumentoi se këto dy nisma të Kuvendit binin ndesh me kodin zgjedhor që ndalon miratimin e tyre 4 muaj përpara zgjedhjeve.

Tv Klan