KQZ ka zbardhur projekt vendimin për votën e emigrantëve, në të cilën janë dhënë më mënyrë të detajuar se si do të kryet regjistrimi dhe procesi i votimit i qytetarëve që jetojnë jashtë Shqipërisë. Pasi ndryshimet në Kodin Zgjedhor mundësuan votën e Diasporës, regjistrimi i zgjedhësve nga jashtë vendit do të kryet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Regjistrim i tyre do të kryhet online nëpërmjet një aplikacioni të krijuar nga KQZ, të quajtur Platforma Elektronike e Regjistrimit. Ky aplikacion mund të shkarkohet në kompjuter ose telefon.

Krijimi i një llogarie të personalizuar në atë aplikacion do të bëhet me tre elementë sigurie: skanimi i fytyrës nga kamera e kompjuterit ose e telefonit, vendosja e numrit të identifikimit  personal dhe vendosja e 1 kodi të cilin KQZ do t’jua dërgojë në telefon, ose me e-mail. Më pas, votuesi duhet të plotësojë të dhënat e tij, si dhe duhet të skanojë një pasaportë apo kartë identiteti shqiptare, të vlefshme.

Sipas këtij pr/vendimi regjistrimi nis 120 ditë para zgjedhjeve dhe mbyllet 68 ditë para zgjedhjeve. 

Në vijim të deklarimit të të dhënave, qytetari duhet të provojë që jeton në adresën e deklaruar jashtë territorit të Shqipërisë duke ngarkuar të paktën një nga këto dokumente:

-Certifikatë pronësie të banesës, vërtetim banimi, kontratë qiraje; kontratë kredie për blerje të banesës; kontratë furnizimi me ujë, gaz, energji elektrike, telefon, internet në atë banesë; kontratë ose faturë të ofrimit të shërbimit të internetit/telefonisë fikse në banesë. Dokumenti i KQZ-së, ju lë hapësirë për të votuar edhe emigrantëve të paligjshëm apo të personave që po marrin trajtim mjekësor në një shtet tjetër apo kamp emigracioni.

Brenda 5 ditëve KQZ do t’i njoftojë nëse regjistrimi i tyre u pranua, e nëse ka gabime, do t’ju jepet një shans  i dytë për korrigjime. Pas kësaj, ata do të hiqen nga lista e zgjedhësve në Shqipëri, dhe do të jenë në listën e veçantë të zgjedhësve nga jashtë.

Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, 63 ditë përpara datës së zgjedhjeve, publikon listën paraprake të zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, me qëllim që zgjedhësit brenda 48 orëve nga publikimi i saj mund të kërkojnë regjistrimin apo rregullimin e pasaktësive.

Klan News