Daka: Shkarkimi im nga KQZ, antikushtetues

Me prejardhje nga i njëjti vend i Mitrovicës, të dyja me mbiemrin e vajzërisë Osmani, aktualisht janë shndërruar në personazhet me të përfolura të momentit. Valdete Daka, e cila një ditë më parë u shkarkuar nga posti i kryetares së KQZ-së nga presidentja Vjosa Osmani, ka paralajmëruar se do t’i shqyrtojë mundësitë ligjore për ta kërkuar të drejtën e saj pasi vlerëson se shkarkimi i saj është antikushtetuese dhe i pambështetur në ligj.

“Ky është një vendim jo kushtetues dhe i pa mbështetur në ligj. Këtë e them duke u mbështetur në faktet se arsyetimi i dhënë në shkarkimin tim, jo vetëm që është i paligjshëm, kontradiktor me vetveten, por edhe qesharak. Kërcënimet publike të Presidentes Osmani kanë nisur që nga janari i vitit 2021, në kohën kur unë si Kryetare dhe shumica e anëtarëve të KQZ-së, edhe përkundër presionit të madh, ishim në mbrojtje të Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese për të mos lejuar kandidimin për deputetë të personave të shpallur fajtor për vepër penale, në tri vitet e fundit, me vendim përfundimtar të gjykatës”.

Arsyet për shkarkimin e saj të dhëna nga presidentja Osmani, Daka i quan si të paqëndrueshme, ku i ka numëruar një nga një në një konferencë për media.

“Presidentja e Kosovës përmend vendimin e KQZ-së për lejimin e votimit të qytetarëve duke përdorur dokumente me afat të skaduar. Edhe kjo arsye është e paqëndrueshme dhe e pavërtetë, sepse unë personalisht kam qenë kundër këtij vendimi. Tetë anëtarë tjerë të KQZ-së e kanë mbështetur propozimin e z. Sami Kurteshi nga Lëvizja Vetëvendosje për të lejuar votimin e qytetarëve me dokumente me afat të skaduar. Votimi është zhvilluar përmes email-it dhe ekzistojnë fakte që e dëshmojnë se unë kam qenë kundër këtij vendimi, por Presidentja nuk ka pyetur asnjëherë për të vërtetën e vendimit të KQZ-së”.

Daka ka thënë se vendimi i presidentes Vjosa Osmani ishte i përgatitur më herët dhe këtë e dëshmon emërimi brenda pak minutash i kryetarit të ri të KQZ-së. Një ditë pas shkarkimit të Dakës presidentja Osmani ka shpallur 17 Tetorin si datë të zgjedhjeve në vend.

Tv Klan