Partia Socialiste duket se nuk tërhiqet nga kërkesa e saj për pezullimin e datës se dekretuar nga presidenti Bujar Nishani, për zgjedhjet në bashkinë e Dibrës.

Kjo force i është drejtuar Gjykatës Administrative për të kërkuar shpalljen e dekretit të datës 2 gusht të kreut të shtetit si të pavlefshëm dhe si pasojë pezullimin e tij.

Presidenti i Republikës menjëherë pasi u njoftuar zyrtarisht nga Gjykata Kushtetuese me vendimin e rrëzimit të kërkesës e ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili për rikthim ne detyre, duke lënë në fuqi vendimin e Këshillit të Ministrave për ta shkarkuar pas skandalit seksual ku ai u përfshi,  shpalli 11 shtatorin si datën e mbajtjes se zgjedhjeve të reja lokale në këtë bashki.

Por socialist pretendojnë se kreu i shtetit është në shkelje të Kushtetutës, pasi duhet të shpallte dekretin vetëm pasi vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet të hynte ne fuqi, me shpalljen në Fletoren Zyrtare.

Institucioni i Presidentit hodhi poshtë pretendimet e selisë roze duke sqaruar se në rast se do të priste shpalljen në Fletoren Zyrtare presidenti do të shkelte afatet e përcaktuara në kodin zgjedhor, ndërsa bëri të ditur se data e zgjedhjeve është vendosur nga Gjykata Kushtetuese dhe kreu i shtetit dekreton formalisht një nga datat e përcaktuara në vendimin e kësaj gjykate. /TV KLAN