Në fushatën elektoale në Gjermani shërbimet sekrete llogarisin, që mund të ketë sulme të hakerave nga Rusia ndaj politikanëve në garë. Të ashtuquajturat fabrika troll përhapin lajme të rreme për manipulim opinioni.

Ekspertët rusë të shërbimeve sekrete mendojnë, se Kremlini planifikon të influencojë në zgjedhjet për Bundestagun në Gjermani. Ngjashëm si në Francë e në SHBA hackerat rusë mund të përpiqen të sulmojnë kandidatët për të influencuar zgjedhjet. “Pawn Storm”, “APT28” dhe “Cozy Bear” quhen grupet e hakerave, që qendrojnë pas sulmuesve të Emmanuel Macron dhe Hillary Clinton, mësohet nga informacionet e ekspertëve të sigurisë kibernetike që janë të afërt me qeverinë ruse. Në kulmin e fushatës elektorale në Francë e në SHBA ata qëllimisht publikuan informacione, që synonin dëmtimin e kandidatëve. Edhe me ndihmën e fabrikave të ashuquajtura troll, Rusia ka përhapur qëllimisht lajme të reme, për të manipuluar mendimin e zgjedhësve.

Qeverisja e klikimeve

Kjo botë qeveriset prej klikimeve dhe gjithnjë e më pak prej ligjeve. Kështu mendon Alexander Varskoj, i cili qysh prej njëzet vjetësh është aktiv në skenën e hakerave rusë. Bota e tij përbëhet nga të dhëna, kode dhe fjalëkalime. Ai është vazhdimisht në kërkim të zbulimit dhe informacioneve delikate. “Si haker mua nuk më duhet kombësia. Unë jam pjesë e një subkulture.” Pra kjo do të thotë që ata mund të hyjnë në botën e tjetrit. Por haker dhe leaks nuk janë ilegale, thotë Aleksander Varskoj. Këto janë pjesë përbërëse e botës digjitale. 

Të gjitha të dhënat janë me akses. Asgjë nuk është e mbrotjur vërtetë. Ky është edhe kuptimi i internetit. Ashtu si shkuma në ujin që zien dhe derdhet jashtë tenxheres, edhe të dhënat na rrethojnë në ngado.”

Manipulimet ruse

Alexander Varskoj e di, që të dhënat manipulohen, që Rusia konsiderohet si superfuqi në botën kibernetike dhe e mbron influencën e saj. Ai vet nuk merr mandat, na thotë. Por është evidente, që politikanët nuk janë të kujdesshëm me të dhënat e tyre. “Janë të dhëna në masë. Për të gjetur p.sh. një fjalëkalim, unë jap një komandë kërkimi. Këtu ne kemi tani të dhënat e një platforme në rrjetet sociale. Këtë mund ta gjejë kushdo. Ato janë pothuajse të pambrojtura”, thotë Vraskoj.

Ky është mendim ekspertësh nga skena gjigante ruse e hakerave. Shërbimet sekrete dhe ekspertët gjermanë janë të alarmuar. Ata u druhen sulmeve ndaj të dhënave dhe viruseve të kompjuterave pikërisht tani në fushatën elektorale gjermane. Edhe në të shkuarën janë sulmuarme viruse dhe janë cënuar të dhënat në kompjuterat e politikanëve gjermanë.

Trollët

Por nuk ka sulme vetëm ndaj të dhënave, por edhe ndaj opinionit publik. Në një godinë në Shën Peterburg  ka zyrtarisht selinë një “Agjenci për hulumtimet në internet”. Por në të vërtetë dyshohet që pas kësaj fshihet një qendër e propagandës online të qeverisë ruse, e quajtur fabrika troll. Trollët janë përdorues të internetit, që përmes komenteve të tyre manipulojnë diskutimet online dhe kësisoj nxisin konflikte. Gazetarja Ludmila Savtschuk është futur në mesin e punonjësve të kësaj agjencie për të zbuluar se si kundrejt pagesës këtu krijohen opinione në rrjet.

“Një numër gjigant punonjësish prodhon këtu në një kohë rekord komente, postime, fotografi dhe video. Ata mandatohen direkt në kompjuterin e tyre pa e ditur nga i vjen porosia. Por atyre u jepen udhëzime të sakta, se ku duhet vendosur theksi dhe çfarë konkluzioni duhet nxjerrë. Shkurt atyre u serviret në mënyrë precize mendimi i paguar, që duhet të japin.” Synimi është të përhapet fryma kundër SHBA-së dhe të influencohet ndaj konfliktit në Ukrainë e minoriteteve ruse në Europë, thotë Ludmilla Savtschuk. Punonjësit janë në përgjithësi të rinj, akademikë të papunë. “Njerëzit, që punojnë si trolle, nuk njohin kufij. Ata fshihen pas maskave, pas accounteve falso dhe mendojnë, që kanë të drejtë të thonë gjithçka. Për mua ky është ekstremizëm i papërgjegjshëm dhe nxitje e urrejtjes”, vëren gazetarja Savtschuk.

Lajme të rreme, viruse apo vjedhje e të dhënave përdoren si armë edhe në Gjermani. Ekspertët e sigurisë kanë mundur t’i gjejnë gjurmët vazhdimisht në Rusi. Ndaj shërbimet sekrete gjermane janë të përgatitura. Hakeri Alexander Varskoj mendon, se kjo ka pasur efekt. 

Zgjedhjet për Bundestagun? Gjermanët mund të jenë të qetë, sepse kanë programe super për mbrojtjen.” Por sidoqoftë është e vështirë që të ndalen hakerat, që në Moskë punojnë për shërbimet sekrete./DW