Zgjedhjet e sotme në Holandë janë të parat në mesin e disa palë zgjedhjeve që do të mbahen këtë vit në Evropë dhe ato shiheni si test për unitetin e Bashkimit Evropian në kohën e rritjes së ndjenjave nacionaliste dhe populiste në kontinent.

Holanda, shtet me 17 milionë banorë, rrallë tërheq vëmendje nga jashtë, por këtë herë është ndryshe.

Beteja midis kryeministrit Mark Rutte nga qendra e djathtë dhe Geert Wildersit, populist, i cili ka bërë fushatë për ndalimin e Kuranit, mbylljen e xhamive dhe largimin e vendit nga BE-ja, ka rritur fokusin te votimet, pasi ndjenjat nacionaliste kanë shkaktuar dy rezultate të papritura, vitin e kaluar.

Fillimisht ka qenë vendimi i Britanisë së Madhe për të lënë Bashkimin Evropian në referendumin e qershorit. Kjo është pasuar me fitoren e papritur të presidentit amerikan, Donald Trump, në nëntor, i cili ka bërë fushatë me moton “Amerika e para”.

Këto rezultate kanë bërë që shumë në Evropë të pyeten nëse BE-ja mund t’i mbijetojë valës aktuale të ndjenjave anti-establishment.

Partia Liria e Wildersit ka udhëhequr sondazhet e opinionit, shumicën e kohës, gjatë fushatës, edhe pse rezultatet e anketave janë kthyer në favor të liberalëve të kryeministrit Rutte, në ditët e fundit.

Në një debat të nxehtë, më 13 mars, dy kandidatët kanë shkëmbyer grushte verbale, në përpjekje për t’i bindur votuesit.

Rutte ka thënë se Wilders ka ofruar “zgjidhje të rreme” për të ndezur ndjenjën kundër migrantëve.

“Këtu është dallimi midis postimeve në Twitter nga divani juaj dhe udhëheqjes së një vendi. Nëse drejtoni një vend, duhet të merrni vendime të ndjeshme”, ka thënë Rutte.

Wilders e ka quajtur atë “kryeministër të të huajve”.

“Evropa nuk e do këtë. Evropa nuk mund ta menaxhojë këtë. Janë vetëm disa heronj në Evropë, si kryeministri hungarez, (Viktor) Orban, që guxon të mbyllë kufijtë”, ka thënë Wilders.

Disa orë përpara këtij debati, Rutte u ka thënë gazetarëve në Roterdam se shpreson se Holanda do të shërbejë si shembull për vendet e tjera evropiane, duke ndaluar përqafimin e “këtij lloji të gabuar të populizmit”.

Zgjedhjet në Holandë vijnë në kohën kur në Francë, Marine Le Pen, nga ekstremi i djathtë, duket se do të arrijë në rrethin e dytë të zgjedhjeve presidenciale në prill, ndërsa në Gjermani, partia anti-migrante Alternativa për Gjermaninë ka rritur popullaritetin e saj përpara zgjedhjeve në vjeshtë, të cilat mund të përmbysin kancelaren gjermane, Angela Merkel.

“Nëse një udhëheqës populist, anti-BE fiton në Holandë, kjo do t’i inkurajojë lëvizjet populiste sigurisht në Francë dhe ndoshta në Gjermani”, thotë Judy Dempsey, analiste në Institutin Carnegie Europe në Bruksel.

Në zgjedhjet në Holandë konkurrojnë 28 parti dhe asnjëra prej tyre nuk pritet të fitojë më shumë se 17 ose 24 ulëse në Parlamentin prej 150 vendesh. Analistët thonë se ka shanse të mira që Wilders të dëbohet nga pushteti, kur të nisin bisedimet për koalicionin qeverisës. Partitë e tjera e kanë përjashtuar mundësinë e përfshirjes së partisë së Wildersit në qeveri.

“Ne vazhdojmë të presim se Partia Popullore për Liri dhe Demokraci e kryeministrit aktual, Mark Rutte, do të dalë partia më e madhe në Parlament pas zgjedhjeve”, thotë Pepijn Bergsen, analist për Gjermaninë, Holandën dhe Austrinë në grupin Economist Intelligence Unit në Londër.

Shqetësimet ndërkombëtare për këto zgjedhje janë ushqyer javën e fundit me një konfrontim diplomatik të Holandës me Turqinë.

Holanda, por edhe Gjermania kanë refuzuar të lejojnë ministrat e Qeverisë turke të organizojnë tubime politike në territorin e tyre, në mbështetje të një referendumi që pritet të rrisë pushtetin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

Turqia ka thënë më 13 mars se ka ndaluar të gjitha bisedimet në nivel të lartë politik me Holandën dhe se, sa i përket Ankarasë, marrëveshja me BE-në për të ndihmuar frenimin e migrantëve aziatikë, ka marrë fund.

Analisti Bergsen thotë se vota për Brexit dhe fitorja e Trumpit kanë rritur vëmendjen ndërkombëtare mbi zgjedhjet në Holandë, porse ndjenja anti-migrante dhe anti-islamike nuk janë të reja në politikat e vendit.

“Kriza me migrantë në Evropë i ka nxitur këto forca, por nuk i ka krijuar ato; ato kanë qenë atje”, thotë Bergsen, duke nxjerrë në dukje suksesin e politikanit populist holandez, Pim Fortuyn, i cili, pak ditë para zgjedhjeve në vitin 2002, është qëlluar nga një person, i cili ka thënë se do t’i mbrojë myslimanët nga persekutimi./REL