Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve në Kosovë ka deklaruar se pjesëmarrja në votime gjatë ditës së sotme ka qenë 46.9%. Që do të thotë se kanë votuar 827.984 qytetarë nga 1.794.862 persona me të drejtë vote.

Në një deklaratë për mediat, kryerja e KQZ Valdete Daka u shpreh se në krahasim me zgjedhjet e vitit 2019, ka një rritje të lehtë të pjesëmarrjes në votime, që dy vite më parë ka qenë 44.18%.

Sipas KQZ, gjatë gjithë ditës së sotme nuk është shënuar asnjë parregullsi apo incident në procesin e votimit, dhe tashmë ka nisur procesi i numërimit të votave për Kuvendin e ri.

Sa i përket respektimit të masave anti-covid nëpër qendrat e votimit, Valdete Daka tha se nuk janë zbatuar plotësisht, kjo për shkak të temperaturave të ulëta, duke bërë që votuesit të hynin brenda qendrave, e për pasojë të krijonin grumbullime.

Në vijim, KQZ do të nxjerrë edhe rezultatet e para nga numërimi i votave. Sipas Exit Polleve të para, Lëvizja Vetëvendosje udhëheq me vota, e ndjekur nga PDK, LDK, AAK e NISMA. /tvklan.al