Kryesia miratoi pesë emrat që do të jenë pjesë e garës së primareve

Më 27 Gusht PD e drejtuar nga Sali Berisha do të zhvillojë primaret për të zgjedhur kandidatin e koalicionit Bashkë Fitojmë në zgjedhjet e 24 Shtatorit për bashkinë e Kukësit.

Kryesia e PD këtë të mërkurë përzgjodh pesë emrat të propozuar nga baza e demokratëve të Kukësit të cilët i përmbushin kriteret për të marrë pjesë në primare.

Gara brenda demokratëve do të zhvillohet mes Arif Rexhmati, Ardian Elezi, Emri Vata, Gezim Shehu dhe Ylber Zeneli.

Kryesia vendosi që të skualifikojë nga gara e primareve vetëm emrin e Uran Cengut, për mos plotësim të kritereve.

Ndërkohë, Admir Sinamati, cili humbi në zgjedhjet e 14 Majit nën logon e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, ka vendosur që të mos kandidojë për herë të dytë.

Nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, Sinamati thotë se për arsye personale dhe të botëkuptimit që ai ka për politikën, vendimi më i drejtë është që të mos marrë pjesë në primare.

Koalicioni “Bashkë Fitojmë”, pasi të dali fituesi i primareve të PD do të nis punën për fushatën elektorale e cila fillon më 11 Shtator.

Partitë politike që do të marrin pjesë në zgjedhje duhet që të regjistrohen në KQZ deri më datën 1 Shtator, ndërsa koalicionet kanë mundësi të regjistrohen deri më 6 Shtator. Kandidatët e pavarur mund të regjistrohen më 8 Shtator.

Pas zgjedhjeve të 14 Majit, qytetarët e Kukësit do u drejtohen përsëri kutive të votimit për të zgjedhur kryetarin e ri të bashkisë, pas shkarkimit dhe arrestimit të Safet Gjicit, të cilit iu publikua një video intime në ambientet e bashkisë.

Klan News