Me anë të një postimi në rrjetet sociale, kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me zgjedhjet që u zhvilluan në Kukës. Në një kohë që janë numëruar më shumë se gjysma e kutive, kantidati i PS-së, Albert Halilaj ka një avantazh prej 3 mijë votash.

Kreu i qeverisë thotë se ky avantazh do të thellohet dhe do të kurorëzojë një tjetër fitore shembullore. E sipas tij, kjo flet qartë për besimin dhe për pritshmëritë e qytetarëve kuksianë ndaj Partisë Socialsite.

“Kur janë numëruar pak më shumë se gjysma e kutive të votimit, kandidati i Partisë Socialiste për Bashkinë e Kukësit ka një avantazh të pakthyeshëm prej thuajse 3000 votash, i cili do të thellohet ende deri në kurorëzimin e një fitoreje shembullore, që flet qartë për besimin dhe për pritshmërinë e qytetarëve kuksianë ndaj nesh, si edhe për detyrimin tonë të madh ndaj tyre, për të bërë shumë më shumë akoma për Kukësin. Faleminderit Kukës, faleminderit të gjithëve”, shkruan Rama.

Në Kukës janë numëruar 69 kuti nga 74 në total. Albert Halilaj kryeson me 63.46 përqind të votave, kundrejt kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” Emri Vata që ka deri më tani rreth 36.54 përqind të votave.

Në zgjedhjet e së Dielës në bashkinë Kukës votuan mbi 45 përqind e zgjedhësve, ndërsa nuk u shënuan incidente. Pjesëmarrja është më e ulët krahasuar me zgjedhjet e 14 Majit, ku morën pjesë 52.79 përqind e zgjedhësve.

Zgjedhjet në Kukës u zhvilluan pas videoskandalit të ish-kryebashkiakut Safet Gjici, vetëm disa javë pasi fitoi zgjedhjet, ku ai shfaqet duke kryer marrëdhënie intime me një vajzë në ambientet e zyrës së bashkisë. Pas publikimit të kësaj video, Gjici u shkarkuar nga kryeministri Rama dhe ndodhet në burg./tvklan.al