Jemin Gjana: Statuti nuk e parashikon, është zgjedhje individuale

Që në mbledhjen e parë të Komisionit të Zgjedhjeve të Partisë Demokratike, kreu i kësaj strukture Jemin Gjana e ka bërë të qarte se Lulzim Basha nuk është i detyruar të japë dorëheqjen, ndërsa rikandidon për kryetar.

“Komisioni ka përcaktuar se kandidatet për kryetarë duhet të plotësojnë një formular, që do të jetë i ngjashëm me atë të kandidatëve për deputetë dhe më pas do të procedojnë me hapat e mëtejshëm”.

Gjithsesi, ende pa kaluar 24 orë nga ngritja e Komisionit, njëri prej anëtarëve, Enno Bozdo nuk ka pranuar të jetë pjesë e tij.

Deri më tani  në zgjedhjet e 13 qershorit, Lulzim Basha ka përballë anëtarin e kryesisë, Fatbardh Kadilli, ndërsa pritet që edhe grupimi për PD-në të nxjerrë një kandidaturë për kreun e ri të PD-së.

Krahas debateve që shoqëruan mbledhjen e kryesisë edhe atë të këshillit kombëtar, edhe kjo e hënë ka sjellë qëndrime kritike ndaj lidershipit të demokratëve Lulzim Basha. Për ta Basha është humbës I përsëritur e për këtë arsye duhet të japë dorëheqjen e parevokueshme për të hapur një garë të drejtë e të barabartë në parti.

Me të njëjtën gjuhë ndaj tij u shfaq sërish Kryetari i Këshillit Kombëtar, Bujar Nishani I cili në një postim në rrjetet sociale e cilësoi tallëse  dhe të gënjeshtërt ndaj demokratëve qëndrimin e Lulzim Bashës në dy forumet e PD-së.

Sipas Nishanit, Bashës i intereson vetëm vula dhe karrigia e kryetarit dhe aspak rritja e Partisë Demokratike e aq më pa shprehet ai zhvillimi i demokracisë për të ndryshuar Shqipërinë. Për Nishanin ajo që nisi dje është fillimi I fundit politik të Lulzim Bashës dhe platformës së asgjësimit të Partisë Demokratike.

Sakaq edhe Grupimi për PD-në ka reaguar duke e cilësuar të pabarabartë garën për kreun e PD-së. Sipas anëtarëve të këtij grupimi Basha ka emëruar në mënyrë të njëanshme komisionin zgjedhor, duke e cilësuar atë një vegël të kryetarit që nuk siguron kushte për konkurrencë të ndershme, pasi kriteret e pranimit të kandidaturave do të përcaktohen nga Komisioni zgjedhor.

Grupimi për PD-në thekson nevojën e një analize për humbjen e zgjedhjeve dhe reformim të Partisë Demokratike, e cila sipas tyre është marrë peng nga lidershipi aktual Basha.

Tv Klan