Kryetari i Komisionit Zgjedhor në Partinë Demokratike, Jemin Gjana ka deklaruar se fituesi zyrtar i zgjedhjeve brenda PD-së pritet të shpallet paraditen e së hënës. Në një komunikim për gazetarët, Gjana tha se një rezultat paraprak mund të ketë 3-4 orë pas mbylljes së votimit, por fituesi zyrtar do të shpallet nesër.

“Besoj se një të dhënë operative do të marrim diku tek 3 apo 4 orë pasi të jenë mbyllur qendrat e votimit por gjithmonë është një e dhënë operative, jo përfundimtare, nuk është rezultati përfundimtar. Ne do të presim deri nga mesnata të gjithë degët që janë afër Tiranës, të presim të dorëzojnë materialet, do t’i mbyllim në zyrën e Komisionit të votimit. Kutitë e mbyllura që do të kenë brenda të gjithë matrialet e votimit. Degët që janë shumë larg, për shembull, Tropoja, Saranda, Kolonja, etj, do t’i presim që t’i sjellin diku nga orët e para të mëngjesit, sepse edhe ata do të pushojnë 2-3 orë dhe do t’i sjellin. Porosia është që t’i shoqërojë kryetari i komisionit dhe cilido nga përfaqësuesit e kandidatëve që është i pranishëm në atë komision përkatës. Pasi të kenë mbërritur kutitë e fundit të nesërmen e orëve të para të mëngjesit, atëherë do të fillojmë hapjen e kutive, do të nxjerrim vetëm procesverbalet dhe do të hedhim në sistem vetëm procesverbalet, do të bëjmë shumatoren dhe pastaj do të komunikojmë fituesin zyrtar nesër paradite”.

Sa i përket pjesëmarrjes në votime, deri në orën 16:00 votuan 44% e votuesve demokratë në shkallë vendi.

“Ka një lëvizje pozitive të shifrave. Me të dhënat e orës 16.00 pasdite, numri i votuesve në shkallë vendi është 33 mijë e 47 anëtarë e barabartë me 44% të votuesve. Tirana ka 9 mijë e 821 anëtarë që kanë marrë pjesë në votim, në raport me 21 mijë anëtarë që ka Qarku i Tiranës, pjesëmarrja e votuesve në Tiranë është diku tek 46%. Nuk kemi probleme të tjera në vazhdim. Në 3-4 orët e fundit nuk ka patur më lëvizje të përfaqësuesve, nuk janë ndryshuar më.  Dua t’ju bëj me dije edhe dy verifikimet që ne bëmë. Në Kombinat është paraqitur një, që me këto “Faceboook”-et na del një emër i njohur, nga këto mediat investigative, që ka shkuar, ka tentuar të votojë me pajisje. Është larguar në punë të vet. Shpresoj të mos ketë shkuar në ndonjë vend tjetër. Ndërkohë, që nga një nga përfaqësuesit e kandidatëve morëm një informacion që tre votues që kanë votuar në Sarandë, kanë votuar njëkohësisht edhe në Vlorë dhe në Gjirokastër. Nuk është e vërtetë, nuk rezulton që kanë votuar në Vlorë dhe në Gjirokastër. Kanë votuar vetëm në Sarandë. Tani po i kthejmë edhe përgjigjen zyrtare përfaqësuesit të kandidatit që na përcolli shqetësimin”. /tvklan.al