Në Rumani, 30 vjet pas rënies së komunizmit ende shumë njerëz presin për zgjidhje sociale kundër varfërisë. Të dielën rumunët votojnë për parlamentin e ri. Luftimi i varfërisë nuk ishte temë e fushatës zgjedhore.

Gati 6 milionë rumunë, rreth një e treta e popullsisë së mbetur në vend, janë të prekur nga varfëria dhe përjashtimi social. Çdo i dhjeti fëmijë, shkon i uritur në shtrat. Një e treta e popullsisë rumune e ka ende nevojtoren në oborr. Mesatarja europiane është 2 në 100 vetë.

Familja e Stevës e ka tualetin brenda në shtëpi, por nuk ka lidhje të ujit të pijshëm. Rryma elektrike vjen nga fqinjët në ndërtesën pranë. Godina e vjetër me mure të larta i ka dritaret të mëdha me pamje nga rruga, por tani ato janë të gjitha të mbuluara. Ashtu si në ndërtesat e tjera të Bukureshtit, edhe këtu suvatimet bien, dritaret prej druri janë shkatërruar, dyert nuk kanë brava dhe mbyllen vetëm kur i përplas fort. Ajër i ftohtë dimri qarkullon nëpër dhoma. Një i njohur i solli kësaj familjeje një sobë, ku nipi 5 vjeçar hedh rregullisht dru.

Për 45% të familjeve rumune, ngrohja me dru (shpesh janë degë apo kallinj misri të thatë) është mënyra kryesore e ngrohjes. Sipas të dhënave të autoriteteve, kjo shtëpi ku jetojnë një burrë dhe katër fëmijë, prej një viti është e pabanueshme.

I ekspozuar ndaj arbitraritetit

Steve vjen nga një fshat në Rumaninë jugore. „Gruan e njoha në Bukuresht, jam prej vitit 1995 në kryeqytet. Kemi bërë të pamundurën, për të pasur fëmijë, dhe kështu duhet të jetë”. Me miratimin e të zotit ata jetuan për 13 vjet në një shtëpi të pabanueshme. Por dikur i zoti e shiti shtëpinë e vjetër, të cilën pronari i ri e prishi. Steve duhej të kërkonte një strehë të re. Ai aplikoi për një banesë sociale. „Ata kërkonin nga unë diçka që nuk e kisha. Adresë. Ne nuk ishim të regjistruar. E humbëm çdo shpresë. Në bashki na pyesnin me ironi, se pse kishim kaq shumë fëmikë, kur nuk i kemi mjetet për t’i rritur ata. Hoqa dorë.”

Tani Steve ka frikë, se një ditë mund të vijnë nëpunësit, policë me maska, që do ta nxjerrin nga kjo godinë e rrënuar, sepse banojnë ilegalisht aty. „Na ruajtë zoti. Kam frikë, se do na marrin edhe fëmijët. Janë të mitë, i kam rritur vetë, si mund të m‘i marrin.”

E drejta për banesë

Në mënyrë instinktive, njerëzit përpiqen të fshihen nga autoritetet, kur janë në një gjendje të tillë, thotë Irina Zamfirescu, aktiviste për të drejtat e njeriut në Bukuresht. „Ndjesia e parë, që punonjësit socialë zgjojnë tek personat e margjinalizuar është frika.”

Zamfirescu e vëzhgon për një kohë të gjatë problemin e marrëdhënieve të vështira të banimit. „Përfaqësues të autoriteteteve sociale si rregull nuk vijnë atëherë kur duhen, por ditën e dëbimit për t’i bindur njerëzit që të largohen”, thotë ajo. Shpesh njerëzit kërcënohen, me atë se do t’u merren fëmijët. Këta njerëz kanë ndjesinë, se autoritetet janë aty për të përfaqësuar kryetarin e bashkisë, por jo nevojat e qytetarëve. „Nga ajo që kam parë, nuk më gënjen kjo ndjesi”, thotë Zamfirescu. Ndërkohë që e drejta e banimit është e drejtë njerëzore.

I varfër dhe i përjashtuar

Steve nuk ka punuar ndonjëherë me kontratë pune. “Kam punuar në të zezë, ilegalisht, në ndërtim, kam mbuluar çati, kam qenë murator, kam bërë çdo gjë. Kam fituar 120 lei (afër 25 euro) në ditë, i sillja paratë në shtëpi, që të jetonim nga një ditë në tjetrën. Kur nuk ka punë jetojmë nga rruga. Mbledhim gazeta, shishe, gjithçka që gjendet në rrugë.”

Kur Steve ka punë, duhet të dalë shpesh në orën tre të mëngjesit. Më parë ai ndez sobën që të jetë ngrohtë, kur të ngrihen fëmijët. Steve rrëfen me lotë në sy. „Nuk qaj për mëshirë. Nëse nuk do i kisha fëmijët, do kisha fjetur në rrugë.”

Këtë të dielë në Rumani votohet parlamenti i ri. Luftimi i varfërisë do duhej të ishte një temë qendrore e strategjisë kombëtare për çdo parti politike. Por të varfrit e Rumanisë, në këto tre dekada që nga rënia e komunizmit, nuk kanë gjetur vend as në fushatat zgjedhore dhe as në programet qeveritare. Votat e tyre janë blerë shpesh me një trastë me ushqime dhe shumë premtime populiste.

Një sistem i politizuar

Steve ka votuar gjithmonë, por tani është shumë i zhgënjyer. “Në parlament ata bëjnë ligje të pakuptueshme, që të më çojnë mua në burg në vend të vetes së tyre”, thotë ai. Mosbesimi ndaj autoriteteve është i bazuar, thonë madje vetë politikanët. “Këta njerëz kërkojnë të drejtat e tyre dhe injorohen pa asnjë shpjegim dhe pa asnjë ndihmë”, thotë Oana Toiu, ish-sekretare shteti në Ministrinë e Punës dhe kandidate kryesore e Aleancës, USR-PLUS. “Dhe është e qartë, se njerëzve nuk i është dhëna ndihma e duhur, që të dalin nga situata e varësisë, në vend të kësaj ata kanë ngecur në këtë gjendje.” Sistemi është tërësisht i politizuar, administrata e mbingarkuar dhe joprofesionale.

„Ka një situatë varfërie katastrofike në Rumani”, e pranon edhe deputeti socialdemokrat, Petre Florin, ish-këshilltar në Ministrinë e Punës. Varfëria shihet shpesh si gabim, për të cilin duhet të mbash përgjegjësi. Kjo është e papranueshme. „Politikanët që i shohin me urrejtje të varfërit nuk mund të dalin njëkohësisht nga ana social-politike edhe për luftimin e varfërisë.” Edhe kandidati liberal, Sebastian Burduja e kritikon politikën sociale rumune dhe administratën. “Kjo hapësirë është zënë nga politikanë që me ndihmat sociale të shtetit i mbajnë të varur njerëzit në nevojë. Prej 30 vjetësh ata tallen me këta njerëz, dhe i përdorin si masë elektorati.”

Do të shkojë Steve të dielën në qendrën e votimit? “Kurrë më! Ajo që dëshiroj, është të kem një strehë mbi kokë për veten dhe familjen. Asnjë tjetër.”/DW