E gjithë vëmendja e drejtuar te numërimi në Nevada

Nevada po shndërrohet në fushëbetejën kryesore mes Joe Biden-it dhe Donald Trump-it. Me rinisjen e numërimit duket se diferenca në favor të kandidatit demokrat po ngushtohet dhe tashmë Trump është vetëm 8 mijë vota pas tij. Deri më tani në këtë shtet federal janë numëruar 70% e votave. Bëhet fjalë për diferencën më të ulët në 5 shtetet që nuk kanë një fitues të qartë.

Të marra së bashku, Pensilvania, Georgia, Karolina e Veriut, Nevada dhe Alaska kanë 60 delegatë. Joe Biden-it i nevojitet vetëm Nevada që ka 6 zgjedhës në kolegj për të siguruar 270 votat e nevojshme. Ndërsa Donald Trump-it i duhet të sigurojë fitoren tek të pestë shtetet.

Aktualisht kandidati demokrat përllogaritet të ketë 264 vota kolegji, ndërsa republikani 214. Por teksa procesi i numërimit të votave vazhdon në disa shtete federale, përfshirë Pensilvaninë, Arizonën, etj., ka pasur përleshje mes mbështetësve të të dyja partive.

Mbështetësit e republikanëve u grumbulluan në përpjekje për të penguar numërimin në ato zona ku liderët e kësaj partie kanë hedhur dyshime për manipulime.

Stafi i fushatës së Trump ka nisur një betejë ligjore duke kërkuar në gjykatë që të mos numërohen votat me postë të dërguara jashtë ditës së zgjedhjeve, por edhe pse gjykata e rrëzoi kërkesën e parë pritet që ai ta apelojë. Në krahun tjetër demokratët dolën në mbrojtje të numëruesve duke kërkuar që ky proces të vijojë.

Klima politike është tepër e tensionuar në këto zgjedhje. Ato kanë shënuar pjesëmarrjen më të lartë në më shumë se një shekull, mbi 65%. Nëse fiton, Biden bëhet kandidati i katërt në histori që mund një president në detyrë.

Tv Klan