Këto zgjedhje cilësohen si një kthesë për të siguruar çeljen e negociatave me BE

Zgjedhjet paralamentare në Shqipëri janë komentuar edhe nga mediat ndërkombëtare. Reuters e hap faqen e parë me mënyrën sesi po zhvillohen këto zgjedhje.

Partia Socialiste e Kryeministrit Edi Rama po kërkon një mandat të tretë, ndërsa Partia Demokratike e Lulzim Bashës dëshiron një rikthim në pushtet tetë vjet pasi humbi zgjedhjet.

Deutsche Welle shkruan se dita e zgjedhjeve në Shqipëri, 30 vjet pas rënies së diktaturës është larg të qenit një ditë normale si në një vend të BE. E veçanta e këtyre zgjedhjeve më 25 Prill është nëse Shqipëria do të tregohet e aftë të organizojë zgjedhje normale. Me këtë do të plotësohej edhe një kusht i rëndësishëm për konferencën e parë ndërqeveritare të Shqipërisë me BE për çeljen e negociatave.

Më 25 Prill Shqipëria nuk voton vetëm, por edhe vendos, nëse do të arrijë kthesën e shpresuar, që të zhvillojë zgjedhje të lira duke i dhënë fund historisë së zgjedhjeve të kontestuara në Shqipëri apo historia konfliktuale do të përsëritet.

Reuters shkruan se Tiranës iu dha statusi i kandidatit të Bashkimit Evropian në 2014, por ka pasur pak progres për shkak të zvarritjes nga ana e bllokut dhe mungesës së reformave brenda Shqipërisë.

Me një popullsi prej 2.8 milion, votuesit janë të etur për t’i dhënë fund korrupsionit të përhapur. Shqipëria renditet e 104-ta në listën e 180 vendeve të Transparencës Ndërkombëtare për vitin 2020 dhe akuzohet nga Shtetet e Bashkuara si një burim kryesor për prodhimin e marijuanës dhe dërgesave të tjera të drogës.

Qeveria e re do të duhet të merret me pandeminë e koronavirusit dhe rindërtimin e shtëpive pas një tërmeti të vitit 2019 që vrau 51 njerëz dhe dëmtoi më shumë se 11,400 vendbanime. Dymbëdhjetë parti politike po marrin pjesë për të zgjedhur parlamentin me 140 vende, me sondazhet e opinioneve që tregojnë se PS dhe PD po afrohen për të qenë partia me më shumë vota. 

Zgjedhjet e fundit parlamentare që janë mbajtur në Shqipëri, ishin ato të vitit 2017, ku është regjistruar edhe pjesëmarrja më e ulët historike në zgjedhjet për kuvendin që nga viti 1991, me 46.76% e qytetarëve që kanë marrë pjesë në këtë proces.

Klan News