Në zgjedhjet parlamentare, partia e kreut konservator të qeverisë Borisov doli përsëri partia më e fortë. Por formimi i një qeverie ka të ngjarë të jetë i vështirë.

Pak para mesnatës me orën lokale, Bojko Borisov iu drejtua publikut në kanalin e tij në Facebook: në një fjalim të improvizuar para kopshtit të shtëpisë së tij dhe fuoristradës së tij të zezë, të cilën ai e kishte përdorur për udhëtimet e tij elektorale në provincë, në një kohë kur jashtë kishte reshje të mëdha bore, ai kërkoi formimin e një “qeverie të koalicionit të gjerë”

“Kundërshtarët e mi të dashur, unë ju ofroj paqe”, tha Borissov. “Unë sugjeroj që të vendosim ekspertë në krye, të cilët të marrin përgjegjësi dhe të bëjmë çdo përpjekje deri në dhjetor që Bullgaria të dalë nga pandemia dhe të ngrihet. Ky është sugjerimi im për të gjithë. Le të shohim nëse mund të bashkohemi në emër të shtetit”

Partitë e protestës shtojnë votat

Partia e tij e krahut të djathtë GERB arriti të dilte forca më e fortë politike me rreth 25 përqind, siç parashikohej, por, sipas llogarive paraprake të institutit të sondazheve Gallup International, iu desh të pranonte një rënie të votave prej mbi shtatë përqind, krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare në 2017. Humbje edhe më të rënda përjetuan socialistët e opozitës, duke rrëshqitur me më shumë se 12 përqind dhe duke marrë vetëm 15 përqind të votave.

Fituesit e vërtetë të zgjedhjeve parlamentare janë partitë e protestës, të cilat qenë në gjendje të përfitonin nga demonstratat masive kundër Borisovit verën e kaluar. Sipas parashikimeve fillestare, partia e sapo themeluar “Ka një popull të tillë” e prezantuesit dhe këngëtarit të televizionit, Slavi Trifonov mori mbi 16 përqind të votave.

Sofja

Pasi u mbyllën qendrat e votimit, Trifonovi njoftoi se kishte simptoma të Covid-19 dhe kishte kaluar në karantinë. Zëvendësi i tij, Toshko Jordanov përjashtoi çdo bashkëpunim me “forcat e vjetra”: “Populli kërkoi ndryshim dhe kjo status quo nuk mund të ekzistojë më tani. Ne do të përmbushim premtimin tonë: ne nuk do të krijojmë koalicion me GERB, me Lëvizjen për të Drejtat dhe Liritë (partinë e pakicës turke), (socialistët e) BSP dhe (radikalët e djathtë) IMRO, po të arrijë kjo parti e fundit të hyjë në parlament. Ne nuk do ta bëjmë këtë, sepse, ndryshe nga ata, ne nuk gënjejmë,” tha Jordanovi.

Nuk përjashtohen zgjedhjet e reja

Fituesja e dytë e zgjedhjeve është partia e të drejtave civile “Bullgaria Demokratike” me bashkëkryetarin e saj, ish-Ministrin e Drejtësisë, Hristo Ivanov. Partia e tij arriti të marrë nëntë përqind dhe luajti një rol kryesor në zbulimin e abuzimit të dukshëm me pushtetin të qeverisë dhe në demonstratat pasuese masive kundër Borisovit.

“Ne arritëm të vendosim tema të reja në agjendë për dialog me shumë pjesë të reja të shoqërisë bullgare,” tha Ivanovi. “Ne kemi arritur të çlirojmë energji të reja, edhe jashtë Bullgarisë. Ky është një ndryshim jashtëzakonisht i madh, pasi ne shohim konturet e një Bullgarie të re që do të lindë tani e tutje, edhe nëse mund të jetë e vështirë. Ne shohim një Bullgari të re, në të cilat Bojko Borisovi mund të vazhdojë të fitojë zgjedhje me burimet e tij administrative dhe financiare, por nuk mund të marrë pushtetin”.

Me partnerët e tij të deritashëm të koalicionit, Borisovi nuk është as pranë shumicës në parlamentin me 240 vende. Partitë e protestës janë gjithashtu larg nga mazhoranca. Nuk përjashtohet që të mbahen zgjedhje të reja, pas përpjekjeve të dështuara për të formuar një koalicion të qëndrueshëm./DW