Nuk ka marrëveshje në takimin e presidentit me partitë

U takuan për t’u dakordësuar se do të takohen sërish javën e ardhshme, por për pikën kryesore për të cilën u thirr takimi, datën e zgjedhjeve, marrëveshje nuk pati. Për LSDM-në, zgjedhjet duhet të ndodhin sa më shpjet që është e mundur, e kryetari i partisë, Zoran Zaev, i shpalosi edhe arsyet e veta se përse duhet të jetë kështu.

Zaev thotë se Komisioni për Sëmundje Ngjitëse nuk mund të japë datë konkrete se kur mund të mbahen zgjedhjet, por ata mund vetëm të rekomandojnë lehtësimin e masave.

Gjithashtu, ai konsideron se Komisioni Shtetëror Zgjedhor, ka mjaftueshëm kohë për ta përfunduar shqyrtimin e listës së votuesve.

Ai është i bindur se edhe OSCE-ODIHR do të mund që në kohë të dërgojë vëzhguesit e vet. Krejtësisht të kundërtën e thotë kreu i opozitës, Hristijan Mickoski. Qëndrime të ngjashme kanë edhe partitë shqiptare.

Në këtë takim të liderëve nuk ishte prezent kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi. Takimi i radhës pritet të mbahet në fillim të javës së ardhshme.

Tv Klan