Sfidon Bashën së bashku me 5 të tjerë

Në 13 Qershor Lulzim Basha do të ketë përballë në garën për kreun e ri të Partisë Demokratike, një ndër kandidatët më të votuar në qarkun e Tiranës, Agron Shehajn, i cili arriti të marrë votat e 13 852 demokratëve në zgjedhjet parlamentare.

Zyrtarizimin e kandidaturës Shehaj e bëri publike vetëm pak orë përpara skadimit të afatit për regjistrimin e kërkesave në Komisionin e Zgjedhjeve në selinë blu. Përmes një deklarate të publikuar në media Shehaj thotë se Shqipëria ka nevojë për një opozitë të fortë parimore dhe frymëzuese dhe se për këtë nevojiten energji të reja, vizion dhe drejtim i ri.

“Me ketë bindje, kam vendosur të kandidoj për kryetar të Partisë sime. Konkurrimin nuk e shoh si garë për një post, por si një përpjekje të përbashkët me të gjithë demokratët që dëshirojnë që partia jonë të jetë partia e anëtarëve: një parti e vërtetë demokratike, moderne dhe e hapur. Unë besoj se çdo njeri duhet të luftojë duke dalë në shesh për atë që beson. Unë besoj se shërimi nga humbja vjen nga veprimi dhe jo nga apatia e ankimit për padrejtësitë, që sigurisht kanë ndodhur. Unë besoj se përparimi vjen përmes ndryshimit dhe jo ripërtëritjes së të njëjtave gabime”.

Gjatë paradites në selinë blu kandidaturën në garën për kreun e ri të PD-së e depozitoi edhe Ibsen Elezi pjesë e grupimit “Për PD-në”, të cilët krahas dorëheqjes së parevokueshme i kërkojnë Lulzim Bashës edhe shtyrjen e datës së zgjedhjeve.

“Duke dhënë dorëheqjen Basha mund të garantohen kërkesat e statutit të PD për shanse të barabarta në zgjedhje.”

Deri më tani në garën për kreun e ri të Partisë Demokratike janë 7 kandidatë. Të premten dorëzuan parë Komisionit të Zgjedhjeve kërkesën kryetari i demokratëve Lulzim Basha, anëtari i kryesisë Fatbardh Kadilli, si dhe përfaqësuesja e grupimit “Për PD-në” Edit’h Harxhi.

Afati për dorëzimin e kandidaturave është e shtuna dhe se seleksionimi i tyre do të bëhet nga kryesia e Partisë demokratike, bazuar në kriteret që do të vendose Komisioni i Zgjedhjeve.

Tv Klan