Rezultati që prodhuan zgjedhjet e Parlamentit Europian, lanë në udhëkryq dy partitë e qendrës të mbetura për herë të parë pa shumicë vendimarrëse. Por verdikti i 26 Majit rrezikon të nxisë edhe një përplasje me dy aleatëve më të mëdhenj të Bllokut, Presidentit francez Emmanuel Macron dhe Kancelares gjermane Angela Merkel.

“Molla e sherrit” është posti i Presidentit të Komisionit Europian. Gjermani Manfred Weber i Partisë Popullore Europiane, është pretendenti kryesor i cili mbështetet edhe nga Angela Merkel.

Për Kancelaren Merkel, kreu i Komisionit duhet t’i takojë forcës së parë që doli nga zgjedhjet europiane, duke iu referuar Weberit, PPE e të cilit mori 179 vende në Parlamentin Europian.

Por Macron nga ana tjetër nuk pranon të ndjehet i anashkaluar dhe thotë se procesi nuk ka pse të jetë automatik. I njohur si flamurtar i forcave liberale në Europë, Macron synon të shfrytëzojë rritjen e ndjeshme të Aleancës Liberal Demokrate që morën 105 mandate eurodeputetësh.

Duke u mbështetur te këto vota, shefi i Elizesë kërkon të krijojë polin e tij bashkë me Social-Demokratët e qendrës së majtë dhe surprizën e vërtetë të këtyre zgjedhjeve, “Të Gjelbërit”. Kandidatja e mbështetur nga Macron është danezja Margrethe Vestager, nga liberal-demokratët.

Ndonëse ende në hije, përballja mes dy vendeve që njihen si motori i Bashkimit Europian ka nisur. Rasti i parë kësaj përballjeje është takimi informal që do të mbahet këtë të martë në Bruksel.

Tv Klan