Jakov Milatoviç zgjidhet President i vendit

Presidenti në detyrë i Malit të Zi Milo Gjukanoviç nuk mundi të sigurojë rizgjedhjen në balotazhin e së dielës. Ish-ministri i Ekonomisë Jakov Milatoviç siguroi 60.1% të votave, kundrejt 39.9% të marra nga Milo Gjukanoviç.

Sipas Qendrës për Monitorimin dhe Kërkimin me seli në Podgoricë, pjesëmarrja në votime arriti në 70.7 përqind.

Fitorja e Milatoviçit duket se pasqyron lodhjen e votuesve me Gjukanoviçin që ka gati 33 vite në pushtet. Milatoviç 36 vjeç, hyri për herë të parë në politikë në vitin 2020 pas arsimimit në Mbretërinë e Bashkuar dhe SHBA.

Gjukanoviç vlerësohet për Pavarësinë e vendit nga Serbia në vitin 2006 dhe sfidimin e Rusisë duke e anëtarësuar Malin e Zi në NATO në 2017. Por kritikët thonë se Gjukanoviç dhe Partia e tij Demokratike e Socialistëve lejuan lulëzimin e krimit dhe korrupsionit.

61-vjeçari Gjukanoviç e bazoi fushatën e tij tek aleanca me Perëndimin duke u shprehur kundër ndikimit rus dhe ndërhyrjeve të Serbisë.

Ndërsa, rivali i tij Jakov Millatoviç thotë se mbështet integrimin europian të vendit, por kandidaturën e tij e mbështetën edhe disa parti pro-ruse e proserbe.

Këto ishin zgjedhjet e katërta presidenciale që shpallja e Pavarësisë së Malit të Zi në Maj të 2006-ës. 

Tv Klan