Kryeministri Edi Rama ka mbajtur fjalimin e fitores në sheshin ‘Skënderbej’. Rezultatin e 25 Prillit ai e konsideron si më të vështirin dhe më të bukurin për PS-në. Gjithashtu, kreu i qeverisë shtoi se duke marrë parasysh edhe fletët e pavlefshme, PS-ja ka thyer rekordin e zgjedhjeve të mëparshme.

“Kjo është fitorja më e vështirë, më e madhe dhe më e bukur e Partisë Socialiste të Shqipërisë. Me gjithë numrin marramendës të fletëve të pavlefshme të atyre që kanë zgjedhur 12, por kanë gabuar me shenjën e preferencës ne e kemi thyer rekordin tonë. Ky është rekordi historik i kësaj skuadre të madhe njerëzish të zakonshme, me fuqinë e jashtëzakonshme të ambicies për Shqipërinë dhe të një shpirti gare që nuk ka të dytë në këtë vend. Urime, urime, urime me gjithë shpirt dhe një përqafim të madh të gjithëve ju këtu dhe kudo. Unë jam sot krenar si asnjëherë për ju, për çdo vajzë e djalë, grua e burrë që u angazhua si patronazhist, koordinator, drejtues në këtë fushatë spektakolare dhe që dha më të mirën e vet për skuadrën tonë. Kampione në fuqi, kampione përsëri! Por, më shumë se asnjëherë jam krenar për shqiptarët, njerëzit e zakonshëm të këtij vendi që me urtësinë, vendosmërinë dhe votën e tyre kaluan një provë të madhe karakteri në këtë moment kaq sfidues për Shqipërinë. Shqipëria votoi, Shqipëria vendosi, Shqipëria fitoi. Fitoi karakteri ynë si një forcë e pathyeshme edhe përballë fatkeqësive natyrore, fitoi besimi ynë se ky vend bëhet dhe bindja jonë se është misioni ynë ta bëjmë këtë vend. Fitoi pakënaqësia jonë me gjërat që nuk shkojnë si një shtysë për t’i zgjidhur hallet e njerëzve dhe problemet e vendit duke punuar më fort, jo duke u ankuar më shumë. Fitoi durimi ynë i kalitur në vështirësi të mëdha dhe gatishmëria jonë për të derdhur djersë më shumë se të gjithë të tjerët bashkë. Fitoi forca më e madhe demokratike, qytetare, politike që shqiptarët kanë krijuar ndonjëherë për Shqipërinë, Partia Socialiste e Shqipërisë. Gëzuar fitoren sepse është e gjitha e juaja”, tha Rama./tvklan.al