Zgjedhjet e pazakonta të kësaj të diele në vendin tonë kanë qenë në fokus të mediave ndërkombëtare.

“Rëndësia e papritur e zgjedhjeve lokale në Shqipëri”, është titulli që ka përzgjedhur prestigjiozja New York Times, për të përshkruar peshën që kanë marrë këto zgjedhje me kushtet e krijuara.

“Zgjedhjet janë një provë e rëndësishme e demokracisë në vendin ish-komunist që pret të hapë negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian”, komenton New York Times.

Ndërsa Washington Post shkruan se procesi po zhvillohet mes trazirave politike. “Opozita ka vendosur të mos marrë pjesë në zgjedhje, duke akuzuar qeverinë për lidhje me krimin, ndërsa presidenti dashamirës ndaj opozitës, e ka anuluar këtë proces, çka ka bërë që qeveria të mos njohë qëndrimin e tij”, vijon më tej Washington Post.

Agjencia e lajmeve Reuters, vë në dukje protestën nëpër qendrat e votimit, ku të rinjtë abstenues në këtë proces tallnin votuesit me këngë nga e shkuara komuniste.

Lideri i opozitës, shkruan BBC, është nën presion ndërkombëtar për të frenuar militantët, pas paralajmërimeve për sulme ndaj qendrave të votimit në ditën e zgjedhjeve. Rrjeti britanik e vë theksin te zgjedhjet e paprecedenta që pas rënies së sistemit komunist dhe nënvizon se procesi po vëzhgohet nga misioni i OSBE-ODIHR.

“Zgjedhjet e së dielës janë një test kyç për demokracinë e Shqipërisë së mbërthyer prej muajsh nga trazirat politike”, shkruan Al Jazeera.

Interes këto zgjedhje kanë ngjallur edhe në mediat italiane, por edhe ato greke.

Tv Klan