Votohet për nivele të ndryshme të qeverisjes, analistët thonë se nuk priten ndryshime

Boshnjakët u janë drejtuar kutive të votimit  për të zgjedhur përfaqësuesit në nivele të ndryshme të qeverisjes.

Gati 3.4 milionë njerëz kanë të drejtë vote në mes të krizës më të rëndë politike që ka përfshirë vendin ballkanik që nga fundi i luftës në vitet 1990, shkaktuar nga politikat separatiste të udhëheqjes serbe dhe kërcënimet për bllokada nga kroatët e Bosnjës.

Mungesa e sondazheve të besueshme e ka bërë të vështirë parashikimin e rezultatit, por shumë analistë besojnë se partitë nacionaliste do të mbeten dominuese dhe se ndryshimi më i madh mund të vijë në kampin boshnjak, i cili është më i madhi dhe më i larmishëm.

“Duhet të ketë ndryshime.  Jelena Triviç duhet të jetë Presidente e Republikës për të mirën e popullit dhe të Republikës autonome Serbe”, thotë një votues.

Nuk pres diçka të jashtëzakonshme pas zgjedhjeve. Të jem i sinqertë me atë që po ndodh globalisht, gjërat nuk mund të shkojnë më mirë këtu”, shprehet një tjetër.

Në zgjedhjet e sotme votohet për nivele të ndryshme të qeverisjes, ndërsa vendi ka një prej strukturave institucionale më të ndërlikuara në botë, pas një marrëveshje paqeje të ndërmjetësuar nga SHBA, e cila i dha fund më shumë se tre vjet e gjysmë gjakderdhjeje në vitet 1990 midis tre grupeve etnike të Bosnjës: boshnjakëve myslimanë, serbëve ortodoksë dhe kroatëve katolikë.

Marrëveshja e paqes e ndau vendin në dy entitete qeverisëse shumë të pavarura, njëra e drejtuar nga serbët dhe tjetra e përbashkët nga boshnjakët dhe kroatët.

Të dyja kanë autonomi të gjerë, por janë të lidhura me institucione të përbashkëta kombëtare dhe të gjitha veprimet në mbarë vendin kërkojnë konsensus nga të tre grupet etnike.

Sot votuesit do të zgjedhin tre anëtarët e presidencës së përbashkët boshnjake, deputetët e parlamentit në nivel shtetëror, entiteti rajonal dhe presidentin e pjesës së drejtuar nga serbët.

Ndërsa kandidatët dhe partitë konkurrojnë me premtimin për të rritur luftën kundër korrupsionit, analistët thonë se politikanët nacionalistë do të mbeten dominues pas votimit.

Udhëheqësi politik i serbëve të Bosnjës Milorad Dodik, i cili kandidon për president të pjesës së drejtuar nga serbët e Bosnjës, e ka përdorur fushatën zgjedhore për të mbrojtur agresionin e Rusisë në Ukrainë.

Klan News