Mbyllet procesi i votimeve

Mbyllet procesi i votimeve

19:04 30/06/2019 19:00 – Përfundon orari zyrtar i votimeve për zgjedhjet vendore 2019. 5 410 qendrat e votimeve në rang vendi u hapën në orën 07:00 të mëngjesit dhe u mbyllen në orën 19:00.

Në një dalje për mediat, Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, tha se nuk ka patur asnjë kërkesë për shtyrjen e orarit të votimeve. “Orari fillon në 07:00 dhe mbaron në 19:00, e vetmja mundësi është nëse ka radhë, komisioni duhet të marrë dokumentet e identifikimit dhe kjo është vetmja mundësi që këta persona të votojnë. Përtej kësaj votimet janë të mbyllur dhe askush nuk ka të drejtë të tejkalojë normat dhe ligjet", tha Zguri. 

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 18:00, 19% e qytetarëve me të drejtë vote kanë marrë pjesë në votime. Në rang kombëtar kanë votuar 671 255 qytetarë.

Ora 17:20-Ministri i Turizmit, Blendi Klosi voton në KZAZ e shkollës ekonomike: Pjesëmarrja e konsiderueshme, objektivi u realizua. "Nuk kam një informacion të plotë në rang vendi, por nga ajo çfarë kam folur me kolegët e mi deputetë kudo në Shqipëri, pjesëmarrja ka qenë e konsiderueshme. Paçka se siç e kemi thënë shpesh, detyra jonë kryesore ka qenë që në 30 Qershor të zhvilloheshin zgjedhjet, të ishin të pastra dhe të ndershme. Zgjedhjet kanë qenë transparente, që kanë qenë të ndershme, besoj nuk ka asnjë dyshim".

"Qytetarët mbështesin forca të ndryshme politike dhe e kemi thënë ka qenë një zgjedhje e lidershipit të PD që të mos ishte sot në garë dhe kjo nuk mund të jetë pjesë e diskutimit nga deputetët e PS. Kur të vijnë ata pyetini pse nuk morën pjesë në garë. Ne e realizuam detyrën tonë, erdhëm në votime, bëmë proces zgjedhor edhe besoj arritëm një standard të konsiderueshëm përsa i përket infrastrukturës zgjedhore."

"Ju po e ndiqni në milimetra procesin zgjedhor, gjithçka është transparente, në sytë e kamerave dhe nuk besoj që ka pasur një rast të vetëm ku një deputet, apo një funksionar politik i PS apo kushdo tjetër, të ketë kërkuar manipulimin e zgjedhjeve. Objektivi është realizuar, bërja e zgjedhjeve më 30 Qershor dhe zgjedhje të ndershme në 30 Qershor."

Ora 16:20 - Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso: "Operacioni më i madh që po kryen Edi Rama gjatë gjithë ditës së sotme është falsifikimi i pjesëmarrjes në votimet e tij njëpartiake dhe të paligjshme. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është në krye të këtij operacioni manipulimi, duke mashtruar shqiptarët dhe partnerët për numrin e vërtetë të atyre që kanë votuar. Nga monitorimi i të gjitha qendrave të votimit, ka rezultuar se pjesëmarrja faktike në rang vendi deri në orën 11 ka qenë 6 përqind dhe jo 12 përqind sic raportuan kamikazët e KQZ. Pjesëmarrja faktike deri në orën 3 pasdite është 10 për qind. Partia Demokratike paralajmëron kamikazët politikë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, të mos i shkojnë deri në fund planit për falsifikimin e pjesëmarrjes. Lojërat e pista me telefona të prishur nxjerrin zbuluar paligjshmërinë e kësaj KQZ-je me 4 anëtarë të PS në shkelje të ligjit. Arsyeja se pse KQZ nuk evidenton, ndalon dhe raporton shkeljet flagrante të ligjit, që nga votuesit shëtitës që votojnë disa herë, deri tek komisionet e votimit me nga 1 anëtarë që mbushin kutitë e votimit, që nga votimi në grup deri tek votimi i hapur, raste të gjitha të denoncuara nga media, është sepse KQZ-ja është një vegël e paligjshme në duart e Edi Ramës dhe në shërbim të farsës së gatuar prej tij. Megjithëse vetë kandidon, vetë voton, vetë numëron dhe vetë shpall rezultatin, paniku i Edi Ramës duket qartë. Asgjë dhe askush nuk mund ta fshehë braktisjen dhe refuzimin e tij".

Ora 15:50 - KQZ: Pjesëmarrja në votime deri në orën 15:00, 15.5%.

Ora 14:07 - Kryetari i PD Lulzim Basha ndjek votimet e 30 Qershorit nga selia blu. Në foton e dërguar nga zyra e shtypit të PD, Basha shihet nën shoqërinë e Besnik Mustafaj dhe Fatmir Mediut.

Ora 12:50 - Anëtari i KQZ, Bledar Skënderi për 7 qendrat e votimit të pa hapura në Shkodër: "Kemi një situatë në Shkodër ku në 7 qendra votimi nuk ka vazhduar procesi i votimit. Po presin që KZAZ-të të marri masa për të nisur procesi i votimit në këto qendra. Derisa jemi brenda afatit dhe orarit besoj se ka kohë. Nuk përsëritet votimi vetëm në ato qendra nëse shpallet pavlefshmëri në disa qendra. Vetëm nëse numri i zgjedhësve në këto qendra ndikon në rezultatin përfundimtar do përsëritet e gjithë zona zgjedhore. Unë mund të them sot meqë në Shkodër është vetëm një kandidat, pavlefshmëria e zgjedhjeve në këto shtatë qendra votimi nuk e çon gjithë zonën në pavlefshmëri. Nëse numri i zgjedhësve është më i madh se diferenca mes dy kandidatëve çon në pavlefshmëri të gjithë zonës zgjedhore".

Ora 12:35 - Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi: "Nuk habitem aspak nga urdhri politik i Edi Ramës me të cilin u njoha përmes medias. A nuk nisi kështu edhe në vitin 1945? A nuk po ecim në të njëjtën rrugë? Pasi u njoha me vendimin politik të Ramës, dua të deklaroj se nuk kam shkelur asnjë ligj, po kështu asnjë punonjës i bashkisë dhe qytetarët e Shkodrës. Kam zbatuar Kushtetutën dhe Dekretin e Presidentit".

Ora 12:30 - Deri rreth orës 12:15, pjesëmarrja në votime në zonën qëndrore 1873/2 të  KZAZ-së numër 36 në Kombinat në Tiranë, është shënuar rreth 3%. Kryetarja e kësaj KZAZ-je, tha për mikrofonin e ABC News se "deri tani ka shkuar shumë mirë pa incidente. Pjesëmarrja ka qenë maksimale. Te zona ime janë diku te 680, tek KZAZ 36 zona qëndrore 1873/2. Deri tani kemi arritur 3%. Duke qenë se edhe si ditë e dielë, ditë plazhi, presim akoma më shumë gjatë orëve në vazhdim".

Ora 11:40 - Voton Arben Skënderi, rivali i Erion Veliajt: "Kam informacione që çdo gjë shkon shumë qetë. Përfitoj nga rasti ti bëj thirrje votuesve që ta përdorin instrumentin e votës pa ndikime. Është e rëndësishme që vota sido që të jetë do të ishte mirë që njerëzit ta kenë këtë insrtument ta përdorin. Njerëzit duhet të vijnë të votojnë".

Ora 11:10 - KQZ: Deri në orën 11:00, pjesëmarrja në votime ka qenë 12%.

Ora 11:06 - Taulant Balla: "Kjo është një ditë e njerëzve të thjeshtë dhe të zakonshëm të këtij vendi të cilët kanë mundësi të zgjedhin me votë. Të drejtën e tyre të votës nuk mund t’ia heqë askush, qofshin ata që votojnë apo ata që nuk votojnë. Gjithashtu dua të them që kjo është një ditë që do të mbahet mend gjatë në historinë e demokracisë në Shqipëri për shkak se prej sot nuk do të ketë më parti politike apo individë që do të bojkotojnë parlamentin apo që do të bojkotojnë zgjedhjet. Dhe së fundmi kjo është një ditë e rëndësishme sepse sot fitoi Shqipëria e shpresës, e prosperitetit, e njerëzve të zakonshëm, Shqipëria me halle, por me shpresë".

Ora 10:55 - Kryebashkiakja e Shkodrës Voltana Ademi procedohet penalisht në gjendje të lirë për pengim të zgjedhësve.

Ora 10:42 - Pjerin Ndreu: "Sot është një ditë e qetë. Një ditë që me shprehjen e votës qytetarët lezhjanë do bëjnë ndryshimin e asaj që ata kanë vite që e kërkojnë. Kryesore është qetësia, pjesëmarrja dhe pjekuria që ta kalojnë këtë ditë me sa më pak tension. Duke pasur parasysh dhe disa momente që në Lezhë i kemi kaluar me shumë sukses falë edhe pjekurisë së opozitës që në Lezhë kanë mbajtur qëndrim korrekt. I përshëndes dhe ftoj lezhjanët të vijnë të votojnë të qetë".

Ora 10:30 - Një incident ka ndodhur në qendrën e votimit në Katund Sukth të Durrësit, ku një 53-vjeçar ka hyrë me armë dhe ka kërcënuar komisionerët e më pas ka thyer kutitë e votimit. Forcat policore kanë ndërhyrë menjëherë duke bërë të mundur neutralizimin e Ramiz Bakanaçit, të cilit iu sekuestrua edhe një automatik model 56. Sipas Policisë së Durrësit, 53-vjeçari mori kutinë e votimit duke e nxjerrë jashtë ambienteve të qendrës së votimit dhe ka hedhur materialet zgjedhore. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Durrës për veprat penale “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit “, “Pengimi i subjekteve zgjedhore” dhe “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”.

Ora 10:00 - Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj: "Një ndër vendimet më të rëndësishme që merr një qytetar, pra për të vendosur për ata që do të qeverisin pushtetin vendor, pas një periudhe shumë të ndërlikuar përgatitjeje, sot mund të them me kënaqësi që zgjedhjet po zhvillohen në të gjithë vendin të lira, të qeta, nën një atmosferë shumë të mirë. Është e rëndësishme të theksoj dhe t’ju bëj ftesë gjithë qytetarëve që ta shfrytëzojnë mundësinë për të ushtruar përgjegjësinë e tyre qytetare, aq më tepër që jemi në vigjilje të një vendimi shumë të madh për Shqipërinë, pra për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Këto zgjedhje janë po ashtu një kontribut i rëndësishëm në drejtim të dëshmimit të faktit se Shqipëria është një vend, i cili meriton hapjen e negociatave, i cili mund të zhvillojë zgjedhje të lira, të ndershme dhe të drejta. Gjithashtu ftoj të gjithë qytetarët që përveç pjesëmarrjes, të mundohen për të kontribuar në mbajtjen e këtij mjedisi të qetë dhe të sigurte, në mënyrë që secili të mundë ta ushtrojë të drejtën dhe përgjegjësinë e tij në këtë ditë të rëndësishme. Në të njëjtën kohë theksoj që forcat e Policisë kanë marrë të gjitha masat për të krijuar mjedis të sigurt për zgjedhjet dhe do të jenë të gatshme, për të vazhduar këtë proces, për ta përmbushur me konsekuencë të lartë këtë përgjegjësi që kanë ndaj qytetarëve shqiptarë.

Ecuria e zgjedhjeve deri këto momente është shumë e mirë, në të gjithë Shqipërinë po zhvillohen zgjedhjet ashtu siç pritet. Sigurisht që na shqetëson fakti që opozita nuk merr pjesë në zgjedhje, por ama opozita i ka pasur të gjitha mundësitë për të marrë pjesë në zgjedhje. E rëndësishme është liria për të zgjedhur dhe kjo është e garantuar tashmë. Qytetarët kanë të drejtë të zgjedhin ata që janë paraqitur në zgjedhje. Qytetarët vijnë për të gjykuar ata që janë paraqitur në zgjedhje, ata që i janë shmangur gjykimit të qytetarëve është përgjegjësi e tyre, jo e qytetarëve, as e jona".

Ora 09:50 - PD denoncon: "Partia Demokratike ka marrë me mijëra denoncime që demaskojnë këtë skemë, por ajo që zbulon më mirë fytyrën e Edi Ramës dhe të Erion Veliajt, është video që do të ndiqni pas pak. Është një skuadër kriminale, me njerëz të Partisë Socialiste dhe të punësuar të Bashkisë së Tiranës, që kryejnë krimin penal të blerjes së votës dhe krimin moral të korruptimit të shpirtit të një vajze të re. Për fat të keq, vajza duket që e ka për herë të parë një operacion të tillë kriminal. Video tregon qartë me zë dhe me figurë dhënien e parave për blerjen e votës nga një grup i strukturuar kriminal i Partisë Socialiste dhe i Bashkisë së Tiranës. Partia Demokratike ka mundur të identifikojë deri tani se njëri nga personat I përfshirë në këtë krim zgjedhor është Edmond Hajro, Komisioner I PS tek njësia nr 9 Tiranë, pranë kopshtit numër 3. Ai ëhstë administrator i një pallati, i emëruar nga Bashkia e Tiranës. Të nderuar qytetarë të Tiranës dhe të Shqipërisë! Mbajeni mend mirë këtë video! Kjo është fytyra kriminale e Edi Ramës dhe e Erion Veliajt, që blejnë votues për pushtetin e tyre personal me para të krimit, me para të korrupsionit që ua kanë vjedhur ju dhe fëmijëve tuaj"!

Ora 09:24 - Kryeministri Rama voton në Surrel: "Sot është shumë herë më e rëndësishme Shqipëria dhe mësimi historik që kjo ditë do t'i japë të gjithëve se sa vota për njërin apo për tjetrin që është e fshehtë. Unë besoj se kjo ditë konfirmon se me popullin nuk luhet, sovraniteti i popullit nuk është fjalë boshe dhe kush tenton t'i marrë popullit sovranitet nuk ka asnjë fund tjetër përveç fundit me dështim dhe me turp. Sot është e rëndësishme që çdo qytetar në këtë vend të votojë ose mos votojë por të respektojë të drejtën e kujtdo për të votuar ose mosvotuar. Historia solli që këto zgjedhje janë zgjedhje për Shqipërinë që duam për fëmijët tanë. Jam i bindur se sot në Shqipëri po ndodh diçka historike. Është një mësim që nuk do të harrohet kurrë nga asnjë parti politike".

Ora 08:52 - E ngarkuara me punë e ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Leyla Moses-Ones monitoron procesin e votimit tek shkolla ‘Edit Durham’ në Tiranë. Diplomatja amerikane vëzhgoi nga afër për rreth 30 minuta procesin e votimit në këtë qendër. Ambasada Amerikane ka nxjerrë stafin e saj për vëzhgim të procesit zgjedhor.

Ora 08:50 - Voton Erion Veliaj: "Mirëmëngjesi të gjithëve në një ditë fantastike të bukur dhe me diell për Tiranën tonë. Jam shumë i emocionuar sot teksa vendosim se si do të vazhdojë qyteti. U bëj thirrje të gjithëve që të dalin dhe të votojnë. Unë e di që ka parti që kanë bindje politike që kanë inate të vjetra, që kanë pazare të pambyllura , por këto zgjedhje janë për qytetin tonë, për mënyrën se si do të pastrohet Tirana, për çerdhet, për kopshtet, për shkollat ndaj dhe mbi-politizimi dhe përdorimi i zgjedhje për të larë hesapet që dikush ka me të kaluarën nuk më bën sens. Ndaj jam i lumtur sot në të gjithë qytetin ka radhë, për të marrë pjesë, për të votuar , për të thënë atë që në mendojmë se si ka ecur qyteti".

Ora 08:35 - Votim familjar në Gjirokastër, çifti kapet në parregullsi.

Ora 08:23 - Simpatizantë dhe mbështetës të opozitës protestuan paqësisht përpara qendrës së votimit tek Liceu Artistik në Tiranë kundër zgjedhjeve të sotme të 30 Qershorit. “Parti Enver jemi gati kurdoherë”. Me këtë thirrje dhe me vuvuzela, protestuesit kanë ironizuar mbajtjen e këtyre zgjedhjeve vetëm me pjesëmarrjen e Partisë Socialiste. Protestuesit thonë se do të marshojnë paqësisht nëpër disa qendra votimi në Tiranë me synimin për të sensibilizuar qytetarët që të mos marrin pjesë në votime.

Ora 07:45 - Gramoz Ruçi voton: Nuk ka burrë nëne të vendosë diktaturën në Shqipëri.

Gramoz Ruçi: "Besoj që nuk keni dyshim për kë kam votuar, zgjodha mes dy kandidatëve. Besoj se subjektet politike ishin 30 dhe kandidatë ishin dy. Do ishte më mirë më mirë që të kishte më shumë kandidatë dhe subjekte politike. Sot nuk është dita që të diskutojmë, sot sepse kjo ka qenë në ekranet tuaj. Sot është dita të bëjmë apel për maturi dhe qetësi. S’ka burrë nëne që të vendosë diktaturën veçanërisht në Shqipëri".

-Procesi i votimit në Durrës:

Në orën 07:00 të mëngjesit të sotëm janë hapur qendrat e votimit për zgjedhjet bashkiake në Shqipëri, proces që do të zgjasi deri në orën 19:00. Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme, të drejtë vote kanë 3 milionë e 536 mijë e 15 qytetarë. Materialet zgjedhore janë shpërndarë në të gjithë vendin, ndërsa qendrat e votimit janë marrë në mbrojtje nga policia.

Në këto zgjedhje janë 36 forca të regjistruara. 21 të grupuara në koalicionin e Partisë Socialistë me koalicionin “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe 6 si pjesë e koalicionit “Shpresa për Ndryshim”e drejtuar nga partia e Arian Starovës, ndërsa 9 parti të tjera kanë hyrë në këto zgjedhje të vetme mes të cilave dhe Bindja Demokratike e Astrit Patozit dhe Fryma e Re Demokratike e Bamir Topit.

Për herë të parë pas vitit 1990, Partia Demokratike nuk marre pjesë në këto zgjedhje lokale, së bashku me partitë e saj aleate, pasi i kanë bojkotuar. Nga 61 bashki, në 35 nuk ka garë pasi janë regjistruar vetëm nga një kandidat dhe ky i Partisë Socialiste. Në 25 të tjera socialistët kanë përballë kandidatët e Bindjes Demokratike. /tvklan.al
Të ngjashme
Kolegji Profesional
AKSHI