I kthyer nga Londra ku deklaroi se Shqipëria nuk do mundë të hapë negociatat me BE-në në Qershor, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha zbardhi arsyet që sipas tij mbajnë peng dialogun mes tij dhe Kryeministrit Rama.

Teksa mori pjesë në inagurimin e memorialit të viktimave të regjimit komunist në Shkodër, Basha tha se ka të zgjedhur përballjen me krimin dhe jo kompromisin me të.

“Na pengon diçka që t’i shtrijmë dorën njëri – tjetrit, jo për shkak të retorikës, por për shkak të lartësimit të kriminelëve që i shërbyen vesit dhe denigrimit të Shqipërisë në pikën më të ulët që ka njohur historia”.

Si kryetar i PD-së, Basha mori përgjegjësi të plotë që në 30 vjet ende nuk është zgjidhur çështja e dëmshpërblimit të atyre që vuajtën burgun politik, ndërsa premtoi një ligj të ri për të zgjidhur njëherë e mirë këtë çështje.

“Unë jam kryetar i Partisë Demokratike. Çdo arritje është përgjegjësi e jona, dhe çdo gjë që nuk është arritur është përgjegjësi e jona, faji i jonë dhe unë kërkoj falje”.

Fjalimin e tij në Shkodër, Lulzim Basha e mbylli me këto fjalë: “Përgatitemi për çdo sakrificë për demokracinë”!

Tv Klan