“Rama kërkon një reformë që t’i garantojë fitoren në tavolinë”
Për kryetarin e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi, kryeministri Edi Rama po tenton të bëjë pazare për të mbajtur të bllokuar reformën zgjedhore. Pas mbledhjes së grupit parlamentar, Bardhi theksoi se këtë herë nuk do të bëhen të njëjtat gabime me reformën zgjedhore që u bënë në vitin 2020.
“Do një reformë zgjedhore që e shndëron në pazar njësoj siç bëri në 2020.”
Bardhi shpreh bindjen se deputetët që mbështesin Bashën nuk do e bashkojnë votën me mazhorancën për reformën zgjedhore.
“Një pjesë e atyre kolegëve do të duhet të shërbejnë si nxitës që zoti Basha dhe ndonjë tjetër të mos shërbejnë si ‘korporata’ e 2024.”
Teksa thekson se aksioni në parlament do të vijojë, Bardhi pati dhe një ironi për Lulzim Bashën.
“Më mirë të hedh tymuese në Kuvend sesa të rijë në shtëpi. Zoti Basha mendon se dëm Edi Ramës i bën duke ndenjur në shtëpi edhe duke marrë edhe rogën.”
E cilësoi gënjeshtër ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore janë bërë në bazë të modelit gjerman, ndërsa i bëri thirrje presidentit Bajram Begaj që mos të dekretojë ligjin.
“Kjo është një gënjeshtër. Zotit Rama mund t’i duket Ermonela Felaj si gjermane, por ajo është tipike shqiptare, tipike komuniste dhe tipik një njeri që nuk ka asnjë lidhje me ligjin. Pres që Presidenti i Republikës thjesht të zbatojë Kushtetutën dhe të garantojë standardet kushtetuese.”
Në diskutimet në mbledhjen me dyer të mbyllura, deputetët që mbështesin Berishën kërkuan që pjesë e aksioneve jashtë parlamentit duhet të jenë edhe deputetët që mbështesin Gazment Bardhin. Por pavarësisht diskutimeve, pjesëmarrja e deputetëve të Bardhit në aksionet jashtëparlamentare, duket se do të bëhet pasi këto dy grupime të kenë një bashkim të plotë dhe në forumet dhe strukturat e partisë.
Klan News