“Zgjedhorja”, Berisha: Refuzimi i tryezës do fuste opozitën në rreth të kuq


“Zgjedhorja”, Berisha: Refuzimi i tryezës do fuste opozitën në rreth të kuq

15:45 24/01/2020

“Nuk ka marrëveshje Rama-Basha, me këtë qeveri nuk ka zgjedhje të lira”

Mos ulja e opozitës në tryezën e reformës zgjedhore për ish-Kryeministrin Berisha e fuste këtë të fundit në një rreth të kuq. I ftuar në emisionin “Opinion” Berisha tha se marrëveshja me mazhorancën u diktua vetëm nga zgjedhjet e lira e të ndershme pas vërejtjeve të bëra në raportet e OSBE-ODIHR-it.

“Ka shumë vërejtje, ka 67 çështje për të adresuar. Ndaj opozita duhej të ulej, përndryshe dëshmonte se nuk e ka Shqipërinë të parën. Nëse opozita do të tregohej negativiste në këtë moment opozita do ta kishte shumë të vështirë të justifikonte përpara shqiptarëve. Po të mos qe kjo, opozita futej në një rreth të kuq e nuk dilte më kurrë”

Mohon të ketë një marrëveshje mes kryeministrit dhe kreut të opozitës e aq më pak që ulja e palëve në tavolinë të ketë ardhur pas një takimi të fshehtë mes Ramës e Bashës.

“Ju garantoj, në dijeninë time në mënyrë absolute asnjë marrëveshje. Lorenc e di ku e kam fjalën unë. Keqardhja ime është se bie viktimë e zyrës Fuga. Me të gënjy Fuga ty. Kupton apo jo? Ti mund ta gënjesh 100 herë, po jo ai ty. Të garantoj që jo.”

Pavarësisht produktit që mund të sjellë reforma zgjedhore, i bindur është që me Ramën Kryeministër nuk mund të ketë zgjedhje të lira e të ndershme, ndaj dhe këshillën se kursen për pasardhësin e tij në krye të partisë.

“Zgjedhje pa Ramën kryeministër. Vetëm këtë këshillë çdo lloj përpjekje për të votuar shqiptarët të lirë, me Edi Ramën nuk ka zgjedhje të lira”.

Sistemin elektoral se sheh aspak problem të kriminalizimit të politikës ndonëse shprehet i hapur edhe për ndryshimin e tij.

 “Do pranoja një sistem tjetër, të plotë proporcional. Nëse nuk shkonte ky sistem, unë këtë sistem e quaj shumë të mirë. Këta (kriminelët dhe injorantët) nuk i sjell sistemi, i sjell kryetari.”

Jo pak kritika ka edhe ndaj aksionit të opozitës që thotë se nuk e arriti qëllimin e saj për largimin e Kryeministrit Rama.

 “Opozita nuk realizoi dot dy qëllime të tjera, rrëzimin e Edi Ramës dhe shkuarjen në zgjedhje të tjera. Nuk e rrëzoi, sepse nuk arriti të trajtojë revoltën e madhe popullore që ekzistonte me mos bindjen civile të shkallës së atij sa ti jepte shqelmin e Edi Ramës.”

Ndaj dhe si të vetmen forcë për largimin e Kryeministrit Rama sheh atë të revoltës popullore.

 “Shqiptarët nëse duan të rrëzojnë Edi Ramën duhet të përgatiten për një rezistencë në shesh. Është frikacak, është i pari që ia mbath nëse populli e rrethon”.

Tv Klan




Të ngjashme